Ngadalësimi i inflacionit në SHBA rrëzon dollarin – Rritet me vetëm 0.1% me bazë mujore, tregjet presin takimin e FED
Dollari amerikan është rritur lehtë në sesionin e sotëm, pas humbjeve të konsiderueshme një ditë më parë, si pasojë e të dhënave mbi inflacionin që treguan një ngadalësim të ndjeshëm të çmimeve, gjatë muajit nëntor. Raporti mbi inflacionin ka shtuar mundësitë që Rezerva Federale të mngadalësojë hapin e rritjes së interesave në takimin që përfundon sot.
Pas 5 rritjesh me radhë të normës bazë të interesit me 75 pikë bazë, tashmë analistët parashikojnë se sot, banka qendrore amerikane do të rrisë normën bazë të interesit me 50 pikë bazë. Euro po qëndron në mbi 1.06 dollarë, shumë pranë nivelin më të lartë në 6 muajt e fundit, ndërsa paundi po tregtohet në mbi 1.23 dollarë.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 104, ndërsa më herët gjatë sesionit të kaluar preku nivelin më të ulët në 6 muajt e fundit, prej 103.57. Që nga shtatori, kur preku nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit, dollari ka humbur rreth 9% të vlerës. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet pranë 17,800 dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1320 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.