Pentagoni, program për çmimet e mineraleve të rralla – Rezerva strategjike të germaniumit, por nuk ka galium
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes planifikon të zhvillojë një program për të vlerësuar çmimet dhe për të parashikuar furnizimet e nikelit, kobaltit dhe mineraleve të tjera kritike, një lëvizje që synon të rrisë transparencën e tregut, por që hedh një variabël të ri, të pasigurt në tregjet globale të metaleve.
Programi, i cili mori pak vëmendje pasi u njoftua në një faqe interneti të Pentagonit në tetor, është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Uashingtonit për të nxitur prodhimin e mineraleve kritike në SHBA të përdorura në prodhimin e armëve dhe tranzicionin e energjisë.
Prodhimi i SHBA varet nga Kina pjesërisht sepse përpjekjet për të ndërtuar miniera të reja amerikane mund të ndikohen shumë nga luhatjet e çmimeve të mallrave. Një rubrikë zyrtare me të cilën Uashingtoni vlerëson se sa duhet të kushtojë një metal specifik, megjithatë, mund të ngatërrojë tregjet e metaleve duke krijuar struktura paralele për përcaktimin e çmimit.
Tradicionalisht, çmimet e metaleve përcaktohen nga tregjet e së ardhmes dhe agjencitë e çmimeve; dhe pasqyrojnë atë që blerësit janë të gatshëm të paguajnë dhe shitësit janë të gatshëm të pranojnë duke përdorur ofertën, kërkesën dhe faktorë të tjerë. Puna e Pentagonit drejtohet nga divizioni i Agjencisë së Projekteve të Kërkimit të Avancuar të Mbrojtjes – DARPA.
DARPA dhe Shërbimi Gjeologjik i SHBA planifikojnë të punësojnë një ose më shumë kontraktorë privatë për të zhvilluar një model të mbështetur nga inteligjenca artificiale që do të ndërtonte ‘çmimin strukturor’ të një metali bazuar në vendin dhe kur prodhohet, si dhe kostot e punës, furnizimit dhe kostove të tjera.
Programi DARPA, i njohur si Eksplorimi i Çmimit të Hapur për Sigurinë Kombëtare, synon të rrisë transparencën e çmimeve për agjencitë qeveritare dhe subjektet tregtare si dhe të kompensojë rrezikun që Uashingtoni beson se tregjet e së ardhmes dhe agjencitë e çmimeve paraqesin për sigurinë kombëtare.
Pentagoni beson se transaksionet e blerjes së mallrave negociohen duke përdorur ‘të dhëna të paqarta dhe me të meta të çmimeve’ që paraqesin ‘barriera thelbësore për konkurrencën tregtare të SHBA’, sipas dokumenteve, të cilat iu referuan si shkëmbimeve të së ardhmes ashtu edhe ofruesve të çmimeve tregtare.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.