Pyjet do jepen në përdorim për qëllime strategjike – Projektvendimi i Qeverisë: Kusht, të realizojnë investime që përmirësojnë tregues biologjike dhe të infrastrukturës së zonë

Qeveria po përgatit një Projektvendim i cili parashikon mundësinë e dhënieve në përdorim të sipërfaqeve pyjore në rastet e investimeve strategjike. Paralelisht projektvendimi përcakton procedurat që do ndiqen për ndryshimin e kategorisë së përdorimit, si dhe dokumentacioni përkatës për ndryshimet e sipërfaqeve pyjore dhe pakësimin në volum nga fondi pyjor kombëtar apo zgjerimin e tyre.
Drafti parashikon edhe rastet kur këto sipërfaqe mund t’u lihen në përdorim. “Sipërfaqet e fondit pyjor në pronësi të njësive të vetqeverisjes vendore jepen në përdorim vetëm në rastet kur veprimtaria që do të ushtrohet në fondin pyjor, të jetë në përputhje me përcaktimet e nenit 25 të ligjit nr. 57/2020, “Për pyjet”, dhe me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe projektet për veprimtaritë, të cilat synojnë: së pari, Të sjellin përmirësime të dukshme në mbarështimin e florës dhe faunës që ndodhen ne këto sipërfaqe; së dyti, Të realizojnë investime që përmirësojnë tregues biologjike dhe të infrastrukturës së zonës; së treti, Të mos cënojnë vlerat dhe funksionet natyrore e biologjike; dhe së katëri, Të jenë në përputhje me planin e përgjithshëm vendor dhe/ose planin e detajuar vendor për zonën, në 10 vitet e ardhshme;
Në drafta përcaktohen qartë edhe rastet kur dhënia e sipërfaqeve në përdorim ëshë e palejueshme. Bëhet fjalë për rastet kur Sipërfaqja e propozuar për t’u dhënë në përdorim është objekt pretendimi për rikthimin e pronës ish-pronarëve; është planifikuar për investime publike për një afat 10 vjecar; si dhe ku Sipërfaqja e propozuar për dhënien në përdorim për mbarështrimin e florës, është më e vogël se madhësia limit e një nën ngastre pyjore prej 0.5 ha.
Sa për rastet e kthimit në truall, kjo do ndodhë vetëm nëse bëhet fjalë për zgjerimin e vijës kufizuese të ndërtimit dhe të shtrirjes territoriale të periferisë së qytetit apo të qendrave të banuara në zonat rurale; ndërtimin e strukturave akomoduese në funksion të sipërmarrjes turistike dhe të veprimtarisë së agroturizmit;
ndërtimin e rrugëve automobilistike apo hekurudhore, aeroporte dhe struktura të telekomunikacionit; qëllime të strukturave ushtarake; qendra industriale dhe aktivitete me natyrë industriale dhe ose energjitike; dhe së fundmi për qëllime ndërtimi veprash me interes publik.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.