Qeveria lë pa para’ kompanitë e punëve publike – 6 mujori/ Rriten me 19 milion euro detyrimet e prapambetura
Qeveria qendrore dhe ajo vendore ka arritur në vlerë borxhi prej 15.4 miliardë lekësh apo 131 milionë eurosh kundrejt qytetarëve dhe bizneseve deri në gjysmën e parë të vitit. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, 7.9 miliardë lekë i takojë pushtetit qendror dhe 7 miliardë lekë janë akumuluar nga bashkitë, ndërsa pjesa tjetër është akumuluar nga ujësjellës-kanalizimet dhe universitetet. Ajo që vihet re është se pavarësisht direktivave për uljen e detyrimeve, në fakt ka ndodhur e kundërta. Krahasuar me fundvitin 2021, detyrimet e prapambetura janë rritur me 2.2 miliardë lekë, apo rreth 19 milionë euro.
Thuajse e gjithë vlera e rritur i takon punëve publike të papaguara. Konkretisht, sa i takon detyrimeve të qeverisë, peshën më të madhe të totalit vijon ta mbajnë vendimet gjyqësore, të cilat janë kryesisht pasojë e largimeve të punonjësve të administratës nga puna apo çështje të hapura nga bizneset kundrejt vendimeve të institucioneve të ndryshme, të cilat regjistrohen në vlerën e 3.4 miliardë lekëve, e ndjekur nga zëri i investimeve, ku bëhet fjalë për mos-shleyrjen e detyrimeve ndaj kontraktorëve që zbatojnë projektet e punëve publike.
Ky zë regjistrohet në vlerën e 2.5 miliardë lekëve. Ndërsa sa iu takon bashkive, punët publike të pashlyera renditen në vendin e parë me afro 4 miliardë lekë, të ndjekur nga vendimet gjyqësore. Institucionet që kanë më shumë detyrime të prapambetura janë Ministria e Infrastrukturës me 4 miliardë lekë, e ndjekur nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo Financave me 1.1 miliardë lekë respektivisht, ndërsa institucionet e tjera kanë një vlerë më të ulët borxhesh.
Detyrimet e prapambetura Janar-Qershor 2022
Qeveria qendrore 7.9 miliardë lekë
Qeveria vendore 7 miliardë lekë
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.