Qytetarët paguan 22 milion euro tarifa ndaj bashkive – Vendorët rrisin të ardhurat nga ky zë me 39 për qind

Bashkitë e kanë nisur mbarë vitin edhe sa i takon vjeljes së detyrimeve që kanë qytetarët dhe bizneset për të paguar tarifat vendore. Të ardhurat e tarifave vendore në 3 mujorin e parë të viti, shënuan një nivel prej rreth 2.6 miliardë lekë apo 22 milionë euro, në rritje vjetore me rreth 39%.
Zgjerimi në të ardhurat nga tarifat vendore u përcaktua nga rritja e të ardhurave në të gjithë zërat e konsideruar. Tek tarifat që paguajnë qytetarët përfshihen, Tarifa e gjelbërimit; Tarifa e pastrimit dhe e largimit të mbeturinave; Tarifa e plazheve private (për zonat bregdetare); Tarife për leje per perdorim structure; Tarifa e parkimit te automjeteve; Tarifa e ndricimit;, tarifa për zënien e hapsirave publike etj.
Ndërsa në të kundërt, bashkitë kanë pasur rënie drastike të të të ardhurave, afër zerimit të tyre nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël. Të ardhurat nga ky zë rezultojnë të jenë tkurrur në mënyrë progresive që prej vitit 2016, ndërsa dy vitet e fundit thuajse është një burim i humbur për vendorët.
Kjo për shkak të vijimit të vështirësive të krijuara nga pandemia e COVID-19 dhe për të stimuluar biznesin e vogël, pjesë e propozimeve të politikës fiskale ishte dhe heqja e kësaj takse deri në vitin 2029. Vendimi ka hyrë në fuqi që nga 1 Janari 2021. Mesatarisht qyetetarët dhe bizneset paguajnë afro 23 taksa dhe tarifa vendore të cilat ndryshojnë në bazë të bashkisë. Taksa e ndikimit në infrastrukturë është ajo që furnizon më së shumti buxhetet e bashkive.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.