Reshje bore e ngrica në veri e juglindje – Në malin e Korabit orteku zë dy turistë nga Zvicra!
Vendi është përfshirë nga reshje bore dhe temeperatura të ulëta disa gradë nën zero duke krijuar vështirësi në lëvizje kryesisht në veri e juglindje. Në Qarkun e Dibrës termometri ka shënuar -7° në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në Kalanë e Dodës -13°.
Akset Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës, Ura e Çerenecit- kalohen me zinxhirë. Në Rrugën e Arbrit po punojnë 5 borëpastruese. Në pjesën e bypass-it të Murrizit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të vështirësive në qarkullim.
Për SCAN TV, prefekti i Qarkut të Dibrës Nexhmedin Shehu, ka thënë se si shkak i ortekut dy turistë nga Zvicra u lënduan, ku gjendja e njërit prej tyre është më kritike. “Aktualisht që po flasim po kryhet operacioni i shpëtimit. Janë dy turistë nga Zvicra, një burrë dhe një grua, të cilët i ka zënë orteku, ku një prej tyre është në gjendje më kritike për shkak të frakturave. Terreni është mjaft i vështirë në këtë zonë”.
Në Qarkun e Shkodrës janë të bllokuara rrugët Bogë-Qafë Thore dhe Fushë Arrëz- Iballë. Ndërkohë probleme si shkak i borës e ngricave janë shënuar edhe në Korçë. Në Dardhë trashësia e borës arriti deri në 50 cm. Akset nacionale sipas prefektit të Qarkut Nertil Jole, janë të hapura, por aksi Korçë-Dardhë qarkullohet me zinxhirë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka njoftuar se për menaxhimin e situatës në terren, janë angazhuar me kapacitete të plota strukturat dhe së gjitha akset po trajtohen nga skuadrat e mirëmbajtjes së rajoneve dhe janë të kalueshme. Gjithashtu, ju është bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor!
Alida Lula/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.