Rezervat në SHBA mbështesin naftën – Ranë me 9.2 mln fuçi javën e kaluar. Kina njofton stimuj shtesë
Nafta po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, pasi rezervat e naftës në SHBA ranë më shumë se parashikimet e analistëve, gjatë javës së kaluar, ndërsa ulja e rezervës së kërkuar për bankat në Kinë nga Banka Qendrore ka rritur shpresat për më shumë masa stimuluese dhe rimëkëmbje ekonomike.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në mbi 81 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 76 dollarë për fuçi. Rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 9.2 milionë fuçi javën e kaluar, tha Administrata për Informimin mbi Energjinë, rreth katërfish më shumë se parashikimet e analistëve, për një rënie me 2.2 milionë fuçi. Rënia u nxit nga një reduktim i fortë i importeve të naftës, pasi moti i ftohtë mbylli rafineritë, ndërsa shoferët shmangën udhëtimet.
Ndërkohë, Banka Qendrore e Kinës njoftoi një shkurtim të thellë të rezervave bankare të mërkurën, një lëvizje që do të injektojë rreth 140 miliardë dollarë në sistemin bankar dhe do të dërgojë një sinjal të fortë mbështetjeje për një ekonomi të brishtë dhe për tregjet e aksioneve në rënie.
Në anën tjetër, tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbetën në fokus të investitorëve, pasi ushtria amerikane kreu të tjetër sulme në Jemen të mërkurën, duke shkatërruar dy raketa të grupit Houthi, që po përgatiteshin të lëshoheshin dhe synonin anijet në Detin e Kuq.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.