Klubet në Europë, të ardhura mbi 800 mln euro – Real, City, Psg dhe Barcelona kanë gjeneruar shifrat më të larta
Të ardhurat e futbollit europian po shpërndahen gjithmonë e më shumë mes 10 klubeve më të pasura të kontinentit, me një xhiro që i kalon 500 milionë euro për secilin prej tyre. Reali i Madridit rikthehet në krye të listës duke i marrë vendin Manchester City-t. ndërkohë, 20 klubet kryesore kanë regjistruar një xhiro rekord prej 10.5 miliardë euro, në rritje me 14% krahasuar me 9.2 miliardë euro në sezonit 2021/2022.
Rritja në sezonin 2022/2023 u nxit nga numri i lartë i ndeshjeve dhe nga të ardhurat komerciale, që qëndrojnë në 1.9 miliardë dhe 4.4 miliardë euro respektivisht. Këto janë disa nga shifrat e publikuara në edicionin e 27 të Deloitte Football Money League, mbi klubet që gjeneruan të ardhurat më të larta, duke përjashtuar fitimet kapitale në tregun e transferimeve, për sezonin 2022/23.
Të ardhurat komerciale përfaqësonin fluksin më të madh të të ardhurave për klubet e Money League, për herë të parë që nga sezoni 2015/2016, duke përjashtuar sezonin 2019/2020 për shkak të ndikimit të Covid 19.
Veçanërisht, 17 nga 20 klubet më të rëndësishëm raportuan një rritje të të ardhurave komerciale në krahasim me vitin e kaluar, me rritjen që i atribuohet kryesisht përmirësimit të shitjeve me pakicë, të ardhurave nga eventet jashtë fushës dhe nga rimëkëmbja e të ardhurave nga sponsorizimi, që ishte prekur nga pandemia.
Reali i Madridi rikthehet në krye të tabelës së Money League, për herë të parë që nga sezoni 2017/2018 me të ardhura rekord prej 831 milionë euro dhe në rritje me 118 milionë euro, krahasuar me një vit më parë. Pas “Los Blancos” vijnë kampionët e Europës të Manchester City me të ardhura prej 826 milionë euro, ndërsa në vend të tretë është Paris Saint-Germain me 802 milionë euro. Më pas vjen Barcelona me 800 milionë euro dhe Manchester United me 746 milionë euro.
Barcelona e vendit të katërt është një nga protagonistët kryesorë të Money League 2024, pasi në sezonin e kaluar ishte në vendin e shtatë. Ky përmirësim vjen falë të ardhurave rekord nga licencimet dhe tregtimet, por edhe nga rikthimi i tifozëve në stadiume. Në anën tjetër, Liverpooli me 683 milionë euro të ardhura, shënoi rënien më të madhe në renditjen vjetore, duke zbritur nga vendi i tretë në të shtatin, për shkak të rezultateve të dobëta në fushë. Bayern Munich është i gjashti, duke realizuar të ardhura prej 744 milionë euro, nga 647 milionë në sezonin e kaluar.
Lidion Kulla/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.