Risitë për lidhjen në rrjet të vetëprodhuesve të energjisë – Kadiu: Do të lejohet edhe më shumë se 0.5 MW, por pa të drejtë kompensimi
Miratimi i ndryshimeve ligjore në mbledhjen e fundit të qeverisë në lidhje me vetëprodhuesit e energjisë elektrike nga panele diellore, i hap rrugë lidhjes me rrjetin edhe për ata konsumatorë që kanë instaluar kapacitet më të lartë se 0.5 MW, që ishte kufizimi i deritanishëm. Drejtori i Politikave të Energjisë, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Besjan Kadiu bën me dije për TV SCAN detajet, duke shtuar se kushti për këtë kategori do të jetë mospërfitimi i kompensimit për sasinë e energjisë të hedhur në rrjet.
“Është një kategori e re, që i shtohet portofolit të vetëprodhuesve në Republikën e Shqipërisë, të cilët nuk do të përfitojnë skemë mbështetëse, qoftë në formën e faturimit neto, qoftë në formën e matjes neto. Duke qenë se ky grup prodhuesish nuk përfiton skemë mbështetëse, siç përfitojnë vetëprodhuesit e tjerë, kufizimi prej 500 kW për vetëprodhuesin brenda skemave mbështetëse do të hiqet për këtë grup të ri vetëprodhuesish”, – tha ai.
Kadiu bën me dije dhe të dhënat më të fundit sa i takon konsumatorëve që kanë instaluar panele diellore për vetëprodhimin e energjisë elektrike.
“Aktualisht kemi rreth 1300 konsumatorë në skemën e vetëprodhuesve me mbështetje, për një total kapaciteti të instaluar prej rreth 120 MW. Kryesisht teknologjia është fotovoltaike dhe këtij grupi do t’i shtohet edhe ky grup i ri, i cili do të ketë edhe një qasje tjetër, edhe për impaktin që sjell në rrjetin e shpërndarjes”, – tha Kadiu.
Paralelisht me këto ndryshime, qeveria miratoi edhe rregulla të reja sa i takon investitorëve që aplikojnë për ndërtimin e centraleve të prodhimit të energjisë nga era.
“Era është një teknologji, që ka nevojë për siguri teknike dhe siguri të dhënash. Pikërisht kjo, i jepet secilit prej investitorëve të mundshëm. Iu jepet si e drejtë, në një fazë paraprake, në mënyrë që këta investitorë të mbledhin të dhënat dhe t’i përdorin pastaj për realizimin e hapave të mëtejshëm të investimeve të tyre. Parashikimi ligjor aktual kufizonte kryesisht periudhën e marrjes së të dhënave. Nga të dhënat teknike dhe standardet e mira ndërkombëtare, kjo periudhë e marrjes së të dhënave të erës është minimalisht 12 muaj, ndërkohë që periudha që këta aplikues mund të realizonin matje ishte e kufizuar në 6 – 9 muaj, sipas rregullimit aktual”, – u shpreh drejtori i Politikave të Energjisë në ministri.
Sipas Kadiut, ndryshimet ligjore pritet të lehtësojnë investimet në energji të rinovueshme.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.