Rritet sërish çmimi i naftës dhe benzinës – Gazi ‘ruan’ çmimin prej 90 lekë/litri!
Bordi i Transparencës gjatë mbledhjes së sotme ka vendosur tarifat e reja për naftën, benzinën dhe gazin si më poshtë:
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë 239 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 227lekë/litër.
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë 237 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 225 lekë/litër.
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 90 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 78 lekë/litër për automjetet.
Në njoftim theksohet se çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).
Sipas informacionit të publikuar çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 27 Maj 2022 ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i bën thirrje çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi pasi në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
“Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”, shkruhet në njoftim.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.