Ryanair paralajmëron rritjen e çmimeve të biletave – Për shkak të vonesave në dorëzimet e avionëve Boeing
Biletat e kompanisë ajrore Ryanair këtë verë mund të kushtojnë 5 deri në 10% më shumë për shkak të vonesës së Boeing në dërgesat e avionëve të rinj. Paralajmërimi u bë nga shefi ekzekutiv i grupit, Michael O’Leary, sipas të cilit vonesa do të zvogëlojë aftësinë e Ryanair për të ofruar vende në bord.
Numri një i grupit irlandez shpjegoi se dorëzimi i 57 avionëve Boeing 737 Max 8200 pritej në mars, por në vend të kësaj do të ketë 40 – 45 të tillë për verën. Boeing ka pasur probleme që kur një Alaska Airlines 737 MAX 9 u përfshi në një aksident në të cilin një derë u shkëput menjëherë pas ngritjes. Rritja e mëvonshme e kontrolleve në avion nga autoritetet amerikane ngadalësoi prodhimin dhe kohën e dorëzimit.
O’Leary shtoi se problemet me motorët Pratt & Whitney të Airbus A320 do të luajnë gjithashtu një rol, pasi operatorët do të mbajnë një numër të caktuar avionësh të vendosur në tokë për inspektime. Vonesat nënkuptojnë se Ryanair mund të detyrohet të heqë disa fluturime nga sezoni veror, tha O’Leary, duke reduktuar kapacitetin për atë që pritet të jetë një verë rekord për sa i përket numrit të udhëtimeve.
Kjo do të thotë se Ryanair mund të transportojë vetëm 200 milionë pasagjerë për vitin financiar që fillon në prill, kundrejt 205 milionë të parashikuara më parë. Kufizimet e mëtejshme të kapacitetit mund ta bëjnë kompaninë më pak konkuruese ndaj rivalëve me kosto të ulët si ‘EasyJet’.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.