Përfitimet nga hekurudha Vorë-Hani i Hotit – Dokumenti/Elektrifikimi, kushte më të mira për pasagjerët, mallrat dhe mjedisin
Teksa hënën u firmos marrëveshja e kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, rehabilitimi i hekurdhurës Vorë-Hani i Hotit parashikohet të sjellë një sërë përfitimesh në drejtim transportit të pasagjerëve, mallrave, por edhe mjedisit.
Një raport i Komunitetit të Transportit thekson se ndërtimi i linjës së re dhe elektrifikimi i saj synon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e shërbimeve të pasagjerëve dhe mallrave, të përmirësojë kapacitetin e transportit, si dhe zhvillimin e transportit multimodal dhe intermodal në Shqipëri dhe në rajon.
Në kuadër të ndërlidhjes, dokumenti thekson se synohet përmirësimi i lidhjes me fqinjët, duke qenë se aktualisht kjo është e vetmja lidhje kufitare hekurudhore shqiptare, si dhe integrimi i saj në rrjetet hekurudhore rajonale dhe të Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si një nga kreditoret e projektit e vë theksin te përfitimet mjedisore dhe sociale, që do të sjellë zbatimi i tij. BERZH thekson se ai do të mundësojë promovimin e zhvendosjes nga transporti rrugor, në atë hekurudhor, duke reduktuar varësinë nga modelet e transportit me emetime të larta.
Sipas bankës, kursimet e dyoksidit të karbonit do të reduktojnë emetimet e përgjithshme të gazeve me efekt serrë dhe do të ofrojnë një alternativë më të pastër për komunitetin dhe bizneset shqiptare.
Kosto totale për rehabilitimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit përllogaritet në 373.15 mln euro, ndërkohë që struktura e financimit për këtë projekt ndahet midis kredive të dhëna nga BERZH dhe Banka Evropiane Investimeve, një granti të Bashkimit Evropian dhe mbulimit të TVSH-së nga buxheti i shtetit. Granti i BE-së kap vlerën e 137.9 mln euro, kredia e BERZH, 98.75 euro, ndërsa kredia e BEI, 120 mln.
Përpara ndërprjes së funksionimit, shpejtësia maksimale e lëvizjes së trenave në këtë linjë hekurudhore ishte rreth 40 km/orë, dhe në pjesë të caktuara është më e ulët se 20 km/orë. Po ashtu, sistemi i sinjalizimit ishte pothuajse inekzistent.
Ndërkaq, projekti i hartuar për rehabilitimin e kësaj linje hekurudhore do mundësojë lëvizjen e trenave me shpejtësi 100 km/orë, ndërsa përshkon ultësirën perëndimore me stacione në Vorë – Mamurras – Laç – Milot – Lezhë – Shkodër – Koplik – Hani i Hotit, ku është edhe kufiri me Malin e Zi.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.