Zbulohet depozitë e madhe gazi në Arabinë Saudite – ARAMCO: Rezervat shtesë arrijnë në 420 miliardë metra kub
Arabia Saudite ka konfirmuar se sasi të konsiderueshme të rezervave shtesë të gazit janë zbuluar në fushën gjigante Jafura të kompanisë shtetërore të naftës Aramco. Rezervat shtesë arrijnë në 420 miliardë metra kub gaz dhe dy miliardë fuçi kondensatë, sipas deklaratës zyrtare të Ministrisë së Energjisë.
Burimet në fushën Jafura tani vlerësohen në rreth 6.4 trilion metra kub gaz dhe 75 miliardë fuçi kondensatë, gjë që u konfirmua nga një kompani e madhe e pavarur konsulente e specializuar në fushën e miratimit të burimeve dhe rezervave të provuara.
Fusha e gazit jokonvencionale Jafura ndodhet në juglindje të fushës së naftës Gawar në provincën lindore të mbretërisë. Burimet jokonvencionale u referohen atyre që kërkojnë metoda të avancuara të nxjerrjes.
Riadi është angazhuar për zhvillimin e fushës dhe Saudi Aramco ka dhënë kontrata me vlerë 10 miliardë dollarë në vitin 2021 për sipërmarrjen. Në atë kohë, shpenzimet kapitale në Jafura – fusha më e madhe e gazit e pashfrytëzuar e mbretërisë – pritej të arrinin 68 miliardë dollarë gjatë 10 viteve të para të zhvillimit. Pellgu i Jafurës ‘mban’ fushën më të madhe të gazit në Lindjen e Mesme.
Ajo mbulon një sipërfaqe prej 17.000 kilometra katrorë. Prodhimi i gazit natyror në Jafura pritet të dhjetëfishohet. Kjo do ta bëjë Arabinë Saudite, ekonominë më të madhe në botën arabe, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të gazit natyror.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.