Vizita e Zelensky-t dhe samiti i Ballkanit Perëndimor – Policia gati planin e masave, ‘blindohet’ kryeqyteti!
Drejtori për Sigurinë Publike Rebani Jaupi, gjatë një konference për media ka njoftuar planin e masave që do të ndërmerren për sigurimin e rendit gjatë aktiviteteve që do të mbahen dy ditët e ardhshme.
Sipas njoftimit pjesë e masave do të jetë bllokimi i disa rrugëve. “Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Gardën, ka hartuar një plan për sigurimin e rendit para dhe gjatë këtij samiti. Janë marrë masa për menaxhimin e trafikut, do të ketë bllokim të shkurtër”, tha Jaupi. Ai shoti gjithashtu se do të ketë një bashkërendim me Ambasadën e Ukrainës si dhe parashikohen edhe forca të vetë presidentit Zelensky.
Më konkretisht do të bllokohen këto akse:
- Rruga “Rinas – Qafë Kashar” dhe anasjelltas;
- Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjelltas;
- Unaza e Madhe, nga ish-sheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit, dhe anasjelltas;
- Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas.
Ai bëri me dije gjithashtu se të gjitha rrugën që lidhin rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”, do të jenë të bllokuara.
Jaupi informoi se në këto segmente nuk do të lejohet parkimi i mjeteve dhe për këtë arsye do të njoftohen të gjithë banorët e zonës.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.