Sa i kushtoi pandemia buxhetit? – Raporti/ 51.8 milionë euro për vaksinat dhe ndihmën ekonomike
Pandemia covid-19 ka qenë një kosto e lartë për buxhetin e shtetit që nga fillimi i saj, e cila u pasua me një mbyllje totale të ekonomisë, subvencionim, programe punësimi, e më pas blerje vaksinash. Por edhe pse në vitin 2020 ka qenë kulmi, pandemia ishte prezente edhe gjatë vitit që lam pas. Po sa i kushtoi buxhetit të shtetit lufta me coronavirusin gjatë 2021?
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në buxhetin faktik për vitin 2021, efekti i pandemisë rezutlon të jetë afro 6 miliardë lekë apo e përkthyer në valutë 51.8 milionë euro.
Specifikisht, 3.9 miliardë lekë janë përdorur nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin që lam pas, kryesisht për blerjen e vaksinave që përdorën qytetarët shqiptarë për tu mbrojur nga coronavirus; për dhënien e ndihmës financiare për punonjësit dhe ish punonjësit e rafinerisë së naftës Ballsh si dhe për promovimin e turizmit shqiptar në tregjet ndërkombëtare si nevojë për situatën post covid19.
Ndërkohë, 2.1 miliardë lekë, janë financim nga buxheti vjetor i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, për të mbuluar dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike për një periudhë 6 mujore me qëllim zbutjen e efekteve të shkaktuara nga pandemia për katgoritë në nevojë.
E marrë në tre vite rresht, pandemia ka qenë një goditje e madhe për ekonominë e vendit, e cila këtë vit nisur të rikuperohet.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.