Sa po u kushton shitja e pronave qytetarëve shqiptarë? – U paguan 52.4 milionë euro për transaksionet
Pavarësisht se tregu i shit-blerjes së pasurive të paluajtshme është në ditët e tij më të mira, tatimi që qytetarët kanë paguar për shitjen e pronave nuk rezulton i tillë. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të siguruara nga SCAN TV, tregojnë se të ardhurat e vjelura nga ky tatim përgjatë viti 2023 kanë pësuar një rënie në raport me 2022-shin.
Konkretisht vitin e kaluar janë arkëtuar nga tatimi mbi shitjen e pasurive të paluajtshme 5.4 miliard lekë apo rreth 52.4 milionë euro me një rënie me afro 1.6 miliardë lekë apo 22.8 për qind. Por çfarë ka ndikuar në këtë rënie në një kohë kur nga agjencitë immobiliare nuk raportohet ulje e kërkesës apo e transaksioneve të pasurive të paluajtshme?
Rritja e çmimeve të referencës në kryeqytet vitin e kaluar, i cili mban edhe peshën më të lartë të transaksioneve, duke i përafruar ato me vlerën e tregut, ka bërë që tatimi i paguar nga qytetarët të jetë më i ulët.
Sipas ligjit në fuqi për tatimi mbi të ardhurat, fitimi kapital i realizuar si rezultat i kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, ndërtesë, truall dhe tokë bujqësore, tatohet me normën 15% .
Pra e thënë ndryshe qytetarët shqiptarë për çdo shitje të një banese, ambienti komercial apo pasurie të paluajtshme tokë, paguajnë tatim 15 për qind, të diferencës ndërmjet vlerës në blerje të pasurisë dhe vlerës së saj në shitje, apo çmimit referencë në rastet kur është ndërtim i ri dhe çmimit real në shitje.
Nëse një apartament është blerë apo rivlerësuar në vlerën 60 mijë euro dhe shitet në vlerën 80 mijë euro, shitësi paguan 15 për qind të diferencës prej 20 mijë euro, apo 3 mijë euro. Nga ana tjetër informaliteti në deklarimin e çmimeve të shitjes është një tjetër arsye e rënies së të ardhurave.
Së fundi, qeveria ka ndërmarrë një iniciativë tjetër, duke miratuar formulën e re për taksimin e pasurive të paluajtshme në rast shitjeje, sipas së cilës çmimeve të referencës të pronave, do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit të plotë shtesë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të parë. Por zbritja nuk do të jetë më shumë se 30% e çmimeve të referencës. Ndikimi i kësaj nisme do të shihet në vijim.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.