Sa vaj luledielli konsumojnë shqiptarët? – Shifrat zyrtare/ Në 2023, ra çmimi i shitjes. Por, u rrit importi
Vaji i lulediellit vijon të ketë sërish prani të lartë në konsumin e familjeve shqiptare, pavarësisht luhatjeve me çmimin e shitjes. Sipas dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të siguruara nga SCAN TV, në vitin 2023, pavarësisht se në treg kishte sasi të lartë të vajit të ullirit i cili arriti të tregtohej mesatarisht në 500 lekë për litër, importi i vajit të lulediellit është rritur.
Konkretisht në 2023 janë importuar 23.3 mijë ton vaj luledielli nga 22.4 mijë ton të importuara në 2022, duke shënuar rritje me afro 4 %.
Në vitin 2022 vaji i lulediellit u konsiderua si produkt luksi për shkak të luftës në Ukrainë, ku u bllokua transporti dhe për rrjedhojë çmimi i shitjes në treg arriti deri 370 lekë për litër, megjithatë as kjo rritje drastike nuk e ndali konsumin.
Ukraina është furnizuesi kryesor i vajit të lulediellit, ndërsa në 2022 u bë një marrëveshje midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ta marrë këtë produkt nga ky shtet.
Nëse do të krahasojmë shifrat për muajin janar, vihet re se në 2022 janë importuar 1.8 mijë ton, në 2023 ka pasur një rënie te theksuar në Janar në 781 ton dhe ky vit ka nisur sërish me import të lartë në afro 1.6 mijë ton.
Kjo ka ardhur edhe për shkak të rritjes së çmimit të vajit të ullirit si pasojë e rënies së prodhimit, i cili aktualisht tregtohet në mesatarisht 800 lekë/litër, por edhe uljes së çmimit të të vajit vegjetal në treg në raport me 2022-shin.
Aktualisht çmimi i vajit të lulediellit në markete varion nga 150-200 lekë/litër, që krahasuar me vitin 2022, rezulton të ketë një rënie drastike me më shumë se 46 %.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.