Sesioni i dytë në rënie për dollarin – Investitorët preferojnë asetet me risk, largohen nga monedha e gjelbër

Dollari amerikan po qëndron në rënie edhe në sesionin e sotëm, duke publikuar humbje për të dytën ditë me radhë, pasi investitorët kanë preferuar më shumë asetet me risk. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 102.6, ndërsa në sesionin e kaluar ra me rreth 0.4%.
Humori i investitorëve është përmirësuar pas blerjes të të gjitha depozitave dhe kredive të Silicon Valley Bank nga banka tjetër amerikane First Citizens.
Në datën 8 mars, përpara se të fillonte kriza e disa bankave, indeksi i dollarit amerikan u ngjit deri në 105.9, niveli më i lartë në 3 muajt e fundit. Por, pas daljes në sipërfaqe të problemeve të disa bankave në Europë dhe në SHBA, dollari ra deri në 102, niveli më i ulët në 7 javët e fundit.
Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin ka zbritur pranë 20 mijë dollarëve, ndërsa në sesionin e kaluar ra me rreth 3%, pasi platforma e këmbimit të kriptomonedhave, Binance, pezulloi përkohësisht operacionet për shkak të disa problemeve teknike. Ethereum po tregtohet në rreth 1730 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.