Sezoni veror drejt kulmit, ristrukturohet shërbimi i kërkim-shpëtimit – Ndryshon ligji i vitit 2011, rregullohen mbivendosjet me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile
Ndërsa sezoni turistik është drejt kulmit, por bashkë me të edhe frika nga zjarret e emergjencat civile, Qeveria po ndryshon rrënjësisht ligjin për kërkim-shpëtimin. Është hedhur tashmë për konsultim publik një projektligj i cili ndryshon rrënjësisht mënyrën si funksionon shërbimi i kërkim-shpëtimit në Ministrinë e Mbrojtjes, por veçanërisht mbivendosjet e tij, kryesisht me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Një prej risive kryesor që sjellin ndryshimet janë përkufizimet për Qendrën e Përbashkët të Koordinim-Shpëtimit, Qendrën Ajrore të Koordinim-Shpëtimit, Qendrën Detare të Koordinim-Shpëtimit.
Ndryshimet do të sjellin në skenë Komitetin Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit. Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, është gjykuar ngritja dhe funksionimi i tij pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe se përbërja dhe detyrat konkrete të tij do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ky komitet është menduar paraprakisht të kryesohet nga Koordinatori Kombëtar i Kërkimit-Shpëtimit, i cili është shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së dhe anëtarë të këtë përfaqësues nga të gjitha ministritë përgjegjëse për fushën e kërkim-shpëtimit, si dhe nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
– Sa i përket Inspektoratit të Kërkim-Shpëtimit SAR, duke qenë se vetë organizimi i shërbimit të kërkim-shpëtimit është pranë Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe asetet kryesore në dispozicion të këtij shërbimi janë pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, është gjykuar se dhe ngritja dhe funksionimi i këtij inspektorati të jetë pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Konkretisht, duke qenë se fusha e përgjegjësisë së inspektoratit është inspektimi i shërbimit të kërkim-shpëtimit, është gjykuar funksionimi i tij pranë Drejtorisë së Inspektimit të Përgjithshëm. Miratimi i këtij ligji do të shoqërohet më tej edhe me ndërhyrjen në strukturën organizative aktuale të Ministrisë së Mbrojtjes, duke shtuar edhe një sektor për inspektimin e shërbimit të kërkim-shpëtimit pranë kësaj drejtorie (DIP), thekson relacioni shoqërues i projektligjit.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.