Shitje rekord e armëve amerikane – Shënohet një rritje prej 56% jashtë kufijve
Shitja e armëve amerikane jashtë vendit u rrit ndjeshëm vitin e kaluar për shkak të luftës në Ukrainë duke arritur në një rekord 238 miliardë dollarësh. Qeveria amerikane ka negociuar drejtpërdrejt shitjen e armëve me vlerë 81 miliardë dollarë, që është një rritje prej 56% krahasuar me vitin 2022, sipas konfirmimeve të Departamentit të Shtetit. Pjesa tjetër ishin shitje direkte të kompanive ushtarake amerikane në vendet e huaja.
Polonia, e cila aktualisht po kërkon të zgjerojë aftësitë e saj ushtarake, ka qenë ndër blerësit më të mëdhenj të armëve amerikane. Polonia bleu helikopterë Apache për 12 miliardë dollarë dhe pagoi 10 miliardë dollarë për sistemet raketore me lëvizshmëri të lartë – Himars dhe 3.75 miliardë dollarë për tanket M1A1 Abrams, sipas raportit fiskal të qeverisë amerikane. Polonia shpenzoi gjithashtu 4 miliardë dollarë për sistemet e integruara të komandës së mbrojtjes ajrore dhe raketore.
Gjermania thuhet se shpenzoi 8.5 miliardë dollarë për helikopterët Chinook, Bullgaria pagoi 1.5 miliardë dollarë për automjetet e blinduara Striker, Norvegjia bleu helikopterë me shumë misione me vlerë 1 miliard dollarë dhe Republika Çeke bleu F-35 dhe municione me vlerë 6.6 miliardë dollarë.
Transfertat e armëve dhe tregtia e mbrojtjes janë mjete të rëndësishme të politikës së jashtme të SHBA-së me implikime të mundshme afatgjata për sigurinë rajonale dhe globale, sipas deklaratës së departamentit të Shtetit në raportin e tij vjetor. Shitja e armëve amerikane u rrit për shkak se shumë vende hoqën dorë nga armët ruse, edhe pse Rusia ishte shitësi i dytë më i madh i armëve pas SHBA për dekada të tëra.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.