‘Shkrihet’ Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave- Krijohet Agjencia e Inteligjencës Financiare. Si do transferohen kompetencat dhe punonjësit
Parandalimi i pastrimit të parave do të drejtohet nga Agjencia e Inteligjencës Financiare. Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që i hap rrugë ristrukturimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Misioni i Agjencisë së re është të parandalojë pastrimin e parave e të produkteve që burojnë nga veprat penale, si dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, duke bashkëpunuar me institucionet dhe organet kompetente kombëtare e ndërkombëtare. Kjo agjenci do të funksionojë si qendër kombëtare e ngarkuar me mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen tek agjencitë e zbatimit të ligjit të të dhënave për veprimtaritë e mundshme të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ndërkohë që, një ndër funksionet e saj do të jetë shkëmbimi i informacionit me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Prokurorinë e Posaçme, Policinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit apo të inteligjencës për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, veprat penale ose veprimtaritë kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale dhe financimit të terrorizmit.
Lufta kundër krimit ekonomik u konsiderua si priortiet i qeverisë gjatë mbledhjes vjetore të Komitetit Bashkërendues të luftës kundër pastrimit të parave, të zhvilluar në dhjetor të vitit që shkoi. Ndërkohë që, në qershor të vitit 2023, Moneyval, mekanizmi i Këshillit të Europës që bën vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave, i dha notë pozitive Shqipërisë për masat që ka marrë në përmbushjen e angazhimeve në këtë drejtim.
Në raportin e publikuar nga Këshilli i Europës u evidentua përmbushja e dy rekomandimeve kryesore, 25 dhe 28 të dhëna nga Task Forca e Veprimit Financiar e Moneyval, që lidhen me transparencën dhe pronësisë përfituese si dhe me mbikëqyrjen e bizneseve dhe profesioneve të caktuara jofinanciare.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.