Shqipëria mikpriti turistë edhe në dimër – Strukturat akomoduese patën rreth 42% më shumë vizitorë të huaj në janar
Shifrat më të fundit mbi strukturat akomoduese për muajin janar të këtij viti përforcojnë edhe njëherë rekordet e turizmit. Sipas të dhënave të INSTAT rezulton se numri i vizitorëve gjithsej gjatë muajit janar të këtij viti ishte 96,256 duke shënuar rekord krahasuar me numrin e vizitorëve të regjistuar në të njejtin muaj të 7 viteve të fundit. Ndërkohë, krahasuar me janarin e një viti më parë, shohim se këtë vit u regjistruan 27.1% më shumë vizitorë. Nga ana tjetër, numri i netë qëndrimeve gjithsej ishte 169,714 ose 49.4% më shumë krahasuar me janarin e vitit 2023.
“Scan Intel” ndër të tjera ka analizuar edhe numrin e vizitorëve dhe netë qëndrimeve sipas tipologjisë së tyre. Sipas shifrave të “Institutit të Statistikave” në strukturat akomoduese u regjistruan rreth 49,248 vizitorë të huaj, duke shënuar një rritje me 42.3%, krahasuar me vitin paraardhës,
Po ashtu edhe netë qëndrimet nga vizitorët e huaj gjatë muajit janar të këtij viti u rritën me 69.3%, krahasuar me një vit më parë. Numri i tyre u regjistrua në afërsisht 95,000. Përsa i përket netë qëndrimeve nga vendasit numri është më i ulët, pasi në muajin janar në strukturat akomoduese qëndruan 74,949 vizitorë vendas ose 24.6% më pak se të huajt.
Përsa i përket origjinës së turistëve që na vizituan gjatë muajit janar, shifrat tregojnë se peshën më të madhe e zënë vizitorët nga Kosova me 14.3% dhe vizitorët nga Italia me 13.3%. Pjesa tjetër shpërndahet mes vizitorëve nga Gjermania, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët kanë qenë më të paktë në numër.
Theksojmë se duke filluar nga muaji janar 2024, të dhënat e Anketës së Strukturave Akomoduese janë mbledhur nëpërmjet vrojtimit tërësor pranë këtyre strukturave përkundrejt vrojtimit me kampionim që përdorej në vitet paraardhëse.
Armela Duka/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.