“Shteti shqiptar, pjesëmarrës në investimin e Sazanit” – Rama: Projekti do të kalojë në disa shkallë përpara se të miratohet
Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar “një ofertë fantastike me potencial të jashtëzakonshëm” propozimin e një kompanie ndërkombëtare për të investuar në ishullin e Sazanit. Por, sipas tij, projekti është vetëm një propozim dhe do të kalojë të gjitha hallkat e shqyrtimit të tij.
“Transformimi i Sazanit në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit mesdhetar është ambicie e kahershme. Për hir së vërtetës e kanë pasur dhe qeveritë dhe paardhasësit e mi. Nuk është bërë ende realitet. Më parë ka qenë e paimagjinueshme të afroheshin investitorë në Shqipëri. Sot Shqipëria është bërë një adresë gjithmonë e më e kërkuar jo vetëm nga turistët por dhe investitorët. Ne jemi absolutisht të kënaqur që kemi propozim. Propozimi nuk është ende në procesin e domosdoshëm ku duhet të kalojnë disa shkallë. Është bërë aplikimi sipas ligjeve në fuqi në agjencinë tonë AIDA. Do ta shqyrtojmë nëse projekti përputhet me vizionin tonë e domosdoshmërinë e krijimit të një ekuilibri të domosdoshëm mes zhvillimit dhe mbrotjes së natyrës duke e kthyer natyrën në asetin kryesor do të ecim përpara“, tha Rama.
Vetëm pak ditë më parë, media amerikane Bloomberg Neës publikoi lajmin se kompania “Affinity Partners” në pronësi të Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump është në diskutime të avancuara për tre investime në zhvillimin e pronave në Ballkan që mund të kalojnë 1 miliard dollarë.
Kompania me bazë në Majami planifikon të transformojë ishullin e Sazanit në Shqipëri, ku më parë ngrihej një bazë ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës Aman. Affinity po kërkon gjithashtu të zhvillojë Gadishullin e Zvërnecit po në Shqipëri.
Kjo kompani mbështetet nga investitorë nga shtete të Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.