Shqipëria, skemë sigurimi edhe për bletët! – Regjistrohen parqet e bletarëve, krijohet “Regjistri i Mbretëreshave”
Sektori i bletarisë i cili deri më tani ka qenë jashtë optikës së Ministrisë së Bujqësisë, për herë të parë do të jetë i kontrolluar tërësisht nga institucionet shtetërore përmes përcaktimit të rregullave për prodhimin, regjistrimin, transportin, riprodhimin, mbrojtjen, etiketimin, përpunimin dhe ruajtjen e produkteve të bletarisë, si dhe për kontrollin e cilësisë dhe gjurmueshmërinë e këtyre produkteve.
Projektligjin për “Bletarinë” është depozituar për diskutim në komisionet parlamentare dhe synon rregullimin tërësor të sektorit. Konkretisht, drafti përcakton detyrimin e regjistrimit të bletarëve në regjistrat publikë që janë regjistri i fermës dhe regjistri i blegtorisë. Me hyrjen në fuqi të ligjit bletarët kanë detyrimin të regjistrohen dhe të përditësojnë të dhënat mbi numrin e zgjojeve, vendqëndrimet e parqeve dhe lëvizjen e tyre. Vëmendje e veçantë i kushtohet regjistrit të mbretëreshave.
Njoftimi është i rëndësishëm për disa arsye, fillimisht për shfrytëzimin e kullotave, informimin e veterinerit zyrtar të vendit ku ndodhen parqet me qëllim kontrollin dhe monitorimin, marrjen e masave të menjëhershme në rast konstatimi të sëmundjeve apo njoftimin e bletarëve të tjerë kur janë konstatuar sëmundje të cilat përhapen.
Brenda datës 30 prill të çdo viti do të njoftohet vendndodhja dhe në rast lëvizjeje gjatë vitit, bletarët janë të detyruar të përditësojnë informacionin për vendin ku gjendet parku i bletëve Sipas draftit, prodhuesit janë të detyruar që në produktin final, në etiketë të kenë të shënuar çdo detaj, që nga firma që prodhon, substancat që përmban produkti si dhe kohën e përodorimit.
Ndërsa, parku i bletëve duhet të vendoset jo më pak se 10 metra nga rrugët e tranzitit publik dhe jo më pak se 5 metra nga kufinjtë e pronës publike ose private.
Po ashtu, projektligji, edhe pse jo në mënyrë detyruese, parashikon që bletarët të bëjnë sigurime vullnetare me qëllim dëmshpërblimin në raste të humbjes së popullatës nga fatkeqësitë natyre ose dëmtimeve për arsye të tjera.
Ndërkohë përcaktohen edhe masa administrative, ku shkeljet si ushtrimi i aktivitetit nga bletarët pa qenë të regjistruar në regjistrat publikë; Vendosja e parkut pa ruajtur distancat; Lëvizja e parkut pa miratimin e institucionit përgjegjës dhe pa certifikatë veterinare dhe Mosnjoftimi i institucionit përgjegjës në rast dyshimi të sëmundjeve dënohen me 5 mijë deri në 40 mijë lekë gjobë.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.