Shqiptarët blejnë më shumë verë nga jashtë – Rritet importi në Janar edhe për karburantet, kafenë dhe cigaren
Ndonëse janari konsiderohet si muaji i “detoksit” pas festave të fundvitit, të dhënat zyrtare nuk tregojnë të njëjtën gjë. Kërkesa dhe importi i verës së huaj është rritur ndjeshëm përgjatë muajit që lamë pas. Referuar shifrave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, vetëm në Janar janë blerë nga përtej kufijve 1073 ton verë për konsum, apo 17.9 për qind krahasuar me Janar 2023. Të ardhurat doganore nga ky produkt regjistrohen në 79.5 milionë lekë.
Po ashtu perfomancë pozitive kanë pasur edhe disa nga mallrat e tjerë të akcizës. Konkretisht importi i karburantit është rritur me 4100 ton, krahasuar me Janarin 2023 dhe në total është blerë një sasi prej 47 mijë ton me një vlerë prej 2.1 miliardë lekë.
Rritje të ndjeshme ka pësuar edhe importi i kafes me 39 ton dhe sasia për Janarin arrin në 484 ton. Cigarja ka qëndruar në të njëjtën sasi si një vit më parë, ku në muajin që lamë pas janë importuar 225 ton, duke siguruar 1.6 miliardë lekë të ardhura doganore.
Ndërsa importi i birrës ka pësuar rënie me 478 ton, dhe në total janë importuar 4349 ton. Zakonisht importi i birrës rritet ndjeshëm në prag të sezonit veror për shkak të fluksit të turistëve dhe konsumit më të lartë në verë.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.