Të paktën 20 kandidatë rikonfirmohen kryebashkiakë – Rezultatet në 35 bashki/ 11 u fituan nga PS, por me kandidatë të rinj, 4 nga BF
Të paktën 20 bashki, nga 35 ku ka përfunduar 100% numërimi i votave deri në orën 14:00 do të drejtohen nga të njëjtët kandidatë për 4 vitet e ardhshme. Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Elbasani, Korça, Kamza, Lushnja, Maliqi, Cerriku, Rrogozhina, Dimali dhe Vora janë disa nga bashkitë ku kryetarët aktualë janë rikonfirmuara në detyrë. Po ashtu, të njëjtët kryetarë do të qëndrojnë në detyrë edhe në bashkitë: Mat, Belsh, Roskovec, Tropojë, Dropull, Kolonjë, Skrapar, Tepelenë, Këlcyrë dhe PuSteci.
Ndërkaq, 16 bashki të tjera do të drejtohen nga kryetarë të rinj, por gjithsesi do të vijojnë të drejtohen nga Partia Socialiste. Vlora, Saranda, Patosi, Librazhi, Bulqiza, Peqini, Gramshi Klosi, Deliva, Konispoli dhe Libohova janë bashkitë, ku PS shkoi në garë me kandidatë të rinj.
Ndërkaq, në 4 prej bashkive ku ka përfunduar numërimi janë shpallur fitues kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë. Fushë – Arrëz, Pukë, Memaliaj dhe Himarë, janë bashkitë që për 4-vjeçarin e ardhshëm nuk do të drejtohen nga Partia Socialiste. Ndërkaq, ndonëse numërimi I kutive nuk ka përfunduar ende, janë edhe të paktën 6 kandidatë të tjerë që duket se janë shumë pranë sigurimit të një mandati tjetër.
Bëhet fjalë për bashkitë Fier, Lezhë, Berat, Shijak, Prrenjas dhe Përmet që do të vijojnë të drejtohen nga të njëjtën kandidatë të Partisë Socialiste. Gara është e hapur në 21 bashki të tjera, në 13 prej të cilave garojnë të njëjtët kandidatë që kishin drejtimin për 4-vjeçarin që lamë pas. Këtu bën pjesë edhe Bashkia e Tiranës, ku gjithsesi Erion Veliaj ka krijuar epërsi, ndaj Belind Këlliçit dhe 4 kandidatëve të tjerë që synonin drejtimin e kryeqytetit.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.