Tenderët, institucionet kontraktuan 111.7 mld lekë – Raporti i APP për 2023: Nga procedurat u kursye 15% e fondit limit të shpallur
111.7 mld lekë është vlera e kontratave për punë, mallra, apo shërbime të nënshkruara gjatë vitit 2023 nga institucionet publike. Agjencia e Prokurimit Publik ka publikuar analizën për vitin që shkoi, teksa të dhënat tregojnë se vlera totale e kursyer e procedurave të fituara ndaj fondit total limit është 15% apo rreth 20.3 mld lekë.
Krahasuar me një vit më parë kjo vlerë është gati 2 – fish më e lartë, duke qenë se gjatë vitit 2022 fondi i kursyer ishte vetëm 8.4%, duke nënkuptuar se tenderët fitoheshin me vlera pranë fondit limit.
Ndërkohë që, sipas Agjencisë së Prokurimit Publik rritja e fondit të kursyer, nga procedurat tenderuese tregon rritje të efektivitetit në përdorimin e fondeve publike.
Në total vitin që shkoi u shpallën 5250 procedura tenderuese, nga të cilat u finalizuan me fitues 4007 prej tyre. Ndërkaq, 120 tenderë u zhvilluan me negocim, ap shpallje paraprake të njoftimit që ndryshe njihen si “tenderë në tavolinë”.
Fondi total i fituar për këto procedura, sipas raportit të Agjencisë së Prokurimit Publik arrin në 2.3 mld lekë apo 2% e fondit total të prokuruar e të finalizuar me fitues. Në vitin 2023, 53% e tenderëve të zhvilluar nga insittucionet publike ishin për mallra, 29% për shërbime dhe 18% e tyre për punë publike.
Ndërkaq, sikurse ëhstë bërë me dije edhe më herët, nga data 20 mars e këtij viti do të hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore, që parashikojnë risi në drejtim të procedurave të prokurimit publik.
Ola Mitre /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.