Nord Stream padit siguruesit e Londrës për shpërthimet e tubacioneve!
Konsorciumi i energjisë me bazë në Zvicër, Nord Stream, ka nisur një padi prej 400 milionë euro kundër siguruesve, përfshirë Lloyds of London dhe Arch Insurance.
Mosmarrëveshjet kontraktuale kanë të bëjnë me tubacionet e prishura Nord Stream 1 dhe 2, të cilat ishin projektuar për të transportuar gazin rus në Europën Perëndimore.
Pas një shpërthimi nënujor në vitin 2022, pjesa më e madhe e infrastrukturës u dëmtua, duke shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë në Europë.
Nord Stream tani po padit siguruesit e saj, duke pretenduar se ata nuk kanë paguar për dëmet pas incidentit.
Sipas dokumenteve ligjore, firma energjetike ka vlerësuar se “kostot për heqjen e ujit dhe stabilizimin e tubacionit, për të ndërmarrë një riparim të plotë dhe për të zëvendësuar inventarin e humbur të gazit” arrijnë në një shumë midis 1.2 miliardë dhe 1.35 miliardë euro.
Kërkesa e Nord Stream është ndër më të mëdhatë e paraqitura në Gjykatën e Lartë të Londrës gjatë vitit të kaluar, sipas grupit të analizës së të dhënave gjyqësore Solomonic dhe të cituar në FT.
Shkaku i shpërthimeve të gazsjellësit të vitit 2022 është ende i panjohur, por si Rusia ashtu edhe Perëndimi janë përpjekur të transferojnë fajin mbi njëri-tjetrin.
Hetimet e kryera nga Suedia dhe Gjermania gjetën gjurmë të eksplozivit në lidhje me incidentin, duke sugjeruar se shpërthimi ishte kryer qëllimisht.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.