Tentuan të kalojnë kufirin me 25 mijë paund, Policia Kufitare i bllokon paratë e padeklaruara çiftit
Policia Kufitare njofton se është goditur një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në Bllatë, në bashkëpunim dhe me autoritetet doganore Bllatë, bazuar në analizën e riskut, kanë intensifikuar kontrollet me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të shumave monetare, lëndëve narkotike, armëve të zjarrit dhe goditjen e çdo paligjshmërie tjetër kufitare. Në këtë kuadër, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Audi Q7”, me drejtues shtetasin E.P. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, në çantat personale të shtetasve E.P., dhe B.S., (bashkëshortë), shërbimet e Policisë gjetën shumën e 25 070 paund, të padeklaruara, konform ligjeve në fuqi. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës material” informon Policia e Shtetit.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, strukturat hetimore të DVP Dibër, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E.P., 30 vjeç, dhe B.S., 30 vjeçe, banues në Britaninë e Madhe, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.