Tregu i sigurimeve vijoi rritjen në janar – Të ardhurat nga primet e shkruara bruto arritën në 1,7 miliardë lekë
Tregu i sigurimeve në Shqipëri edhe në muajin janar ka vijuar ecurinë rritëse që regjistroi gjatë gjithë vitit 2023. Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në muajin e parë të vitit të ardhurat nga primet e shkruara bruto arritën në 1,774 miliardë lekë, ose 3.62% më shumë se në janar 2023. Ndërkohë, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 104,439 me një rritje prej 8.20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, që zënë 90.38% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 9.62%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.13% dhe ato të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.87% të totalit të tregut.
Gjatë muajit janar 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 608 milionë lekë, ose 8.50% më shumë se në janar 2023. Ndërkaq, dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik u regjistruan në 413 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 17.92% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik arritën rreth 1 miliard lekë, ose 9.31% më shumë se në muajin janar 2023. Produkti MTPL e brendshme, pati një rritje prej 11.33% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 11.16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti Karton Jeshil në muajin janar 2024 pati një ulje prej 1.29% të vëllimit të primeve të shkruara bruto, shoqëruar nga një rritje e numrit të kontratave prej 19.32% krahasuar me janarin 2023.
Vëllimi i primeve të shkruara bruto për Sigurim Kufitar u rrit me 2.52% në bazë vjetore, ashtu si edhe numri i kontratave me 2.35%.
Dorian Koça / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.