Shkëputja graduale e Rusisë nga Gjermania – Në 2014, Moska “thithi” 3% të eksporteve gjermane. Sot, vetëm 0.6%
Regjimet autoritare janë të rrezikshme. Diktatorët, të cilët nuk janë më të kufizuar nga kontrollet dhe balancat serioze, dhe duke u rrethuar gjithnjë e më shumë me individë të zgjedhur që nuk guxojnë t’u rezistojnë atyre, i vënë njerëzit e tyre, si dhe vendet e tjera, në rrezik më të madh. Fatkeqësisht, kjo është historia e Rusisë nën drejtimin e Vladimir Putin, një ish-operativ i KGB-së, i cili ka drejtuar vendin që nga fundi i vitit 1999.
Putin stabilizoi fillimisht Rusinë pas krizës së borxhit të vitit 1998 dhe duke mbikëqyrur disa reforma nga ana e ofertës. E ndihmuar nga rritja e çmimeve të mallrave, ekonomia ruse fillimisht eci mjaft mirë nën presidencën e tij. Duke gjykuar nga pjesa e eksporteve gjermane, të cilat përfshijnë mallrat kapitale të nevojshme për të modernizuar një bazë industriale, Rusia mbeti një treg dinamik në zhvillim post-sovjetik me një prirje pozitive të ngjashme me atë të Polonisë për një kohë. Megjithatë, tendenca ndryshoi pasi trupat ruse pushtuan dy rajone të Ukrainës, Krimenë dhe Donbasin, në vitin 2014.
Pjesa e Rusisë në eksportet e mallrave gjermane ra nga pothuajse nga 3% në 2% duke shënuar dhe fillimin e shkëputjes së saj. Rritja e shpenzimeve ushtarake, raundi i parë i sanksioneve perëndimore dhe prishja e imazhit të Rusisë kanë të gjitha ndikimin e tyre. Shumë kompani perëndimore e trajtuan vendin më shumë si treg sesa si bazë prodhimi. Edhe pse Polonia vazhdoi të integrohej gjithnjë e më ngushtë në zinxhirët e furnizimit pan-europian, Rusia humbi, pavarësisht ofertës së saj të bollshme të fuqisë punëtore të kualifikuar. Në fund të fundit, vendi u shndërrua nga një treg premtues në zhvillim në një shtet të armatosur rëndë, shtypës dhe të pasur me naftë.
Shkëputja e radhës filloi në shkurt 2022. Eksportet gjermane në Rusi ranë menjëherë pasi pushtimi i dytë i Putinit në Ukrainë filloi më 24 shkurt 2022. Raunde të njëpasnjëshme sanksionesh, të kombinuara me dëshirën e kompanive perëndimore për të mos u lidhur me Rusinë dolën në plan të parë. Megjithatë, edhe kështu, shumë produkte perëndimore ende arrijnë në Rusi nëpërmjet vendeve të treta. Por edhe nëse i atribuojmë Rusisë 80% të rritjes së fundit të eksporteve gjermane në Turqi dhe ekonomitë post-sovjetike në jug të kufirit të saj, rënia e peshës së saj të eksporteve gjermane nga 2% në 0.6% mbetet e ndjeshme.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.