Kubë, benzina 500% më e shtrenjtë nga 1 marsi – Ishulli, përballë një prej krizave më të këqija ekonomike
Nga 1 marsi, benzina kushton mbi 500% më shumë për kubanët. Rritja, më e madhja në dekada, pritej në shkurt, por u shty pasi autoritetet në ishull thanë se ishin goditur nga një sulm kibernetik.
Për javë të tëra, radhë të gjata makinash janë mbledhur rreth pikave të karburantit, me banorët të gatshëm të presin orë, apo edhe ditë, për t’u furnizuar para se të hyjë në fuqi rritja e çmimeve. Ndërkohë që nga dita e parë e marsit tashmë janë paralajmëruar rritje të tarifave të ujit dhe energjisë elektrike.
Edhe pse kubanët në përgjithësi paguajnë pak për benzinë, shumica e atyre që punojnë për shtetin fitojnë më pak se 20 dollarë në muaj, kështu që edhe rritja më e vogël e çmimit ka një ndikim të madh. Por autoritetet thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’ua kalojnë kostot konsumatorëve pasi vendi i Karaibeve përballet me një nga krizat e tij më të këqija ekonomike.
Ishulli ka nevojë për rreth 8 milionë ton karburant, nga të cilat vetëm 3 milionë prodhohen brenda vendit, ndërsa pjesa tjetër duhet të importohet.
2023-shi në Kubë përfundoi me një tkurrje të PBB-së midis 1 dhe 2% – ende nën nivelin e 2019-ës, ndërsa deficiti publik këtë vit pritet të arrijë në 18.5%, për të pestin vit radhazi. Vështirësitë kronike ekonomike të Kubës degjeneruan tre vjet më parë në një recesion të rëndë për shkak të pandemisë, shtrëngimit të sanksioneve të SHBA dhe vendimeve kombëtare makroekonomike, tregtare dhe monetare.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.