Punësime të reja me mjetet e inteligjencës artificiale – Kompanitë i përdorin për të gjetur stafin e duhur
Mjetet e inteligjencës artificiale priren të bëhen pjesë integrale e procesit të rekrutimit, pasi gjithnjë e më shumë kompani në mbarë botën i përdorin ato për të gjetur stafin e duhur.
Këto mjete shërbejnë dhe përdoren në faza të ndryshme rekrutimi, që nga “hartimi” i CV-ve deri te caktimi i intervistave, por edhe kryerja e vetë intervistave. Në fakt, disa punëdhënës pohojnë se është pothuajse e pamundur të kalohet procesi pa këtë teknologji, veçanërisht kur bëhet fjalë për reklama shumë konkuruese, të dërguara nga qindra apo edhe mijëra të interesuar, në pritje të një përgjigjeje të menjëhershme.
Ndërsa kërkesa për shërbime të tilla rritet, kompanitë e IA që i ofrojnë ato po shtohen. Për shembull, kompania amerikane ‘HireVue’ ofron mjete, të cilat ndihmojnë punëdhënësin të vlerësojë më mirë intervistat e regjistruara. Gjithashtu ‘American Moonhub’ kërkon në internet për kandidatë të përshtatshëm dhe ndihmon në rekrutimin e tyre më shpejt. Sigurisht që ka kompani që ofrojnë mjete me një funksion më të kufizuar, të tilla si ‘chatbot’ që mbledhin informacion bazë nga kandidatët dhe u përgjigjen pyetjeve të tyre në lidhje me procesin e punësimit.
‘Sapia’ e Australisë ofron një sistem më gjithëpërfshirës, pasi zakonisht kryen raundin e parë të intervistave nëpërmjet përgjigjeve me shkrim, një metodë që shumë e konsiderojnë më pak stresuese. Aplikantët duhet të japin përgjigje të shkurtra prej 50 deri në 150 fjalë për pyetjet në lidhje me aftësitë dhe përvojën e tyre. Sistemi i IA më pas vlerëson dhe përputh përgjigjet ndaj tipareve specifike të karakterit si përulësia, të menduarit kritik dhe aftësitë e komunikimit, duke i kategorizuar të intervistuarit në lloje të veçanta personaliteti. Ndërkohë, punëdhënësit marrin një listë të kandidatëve më të përshtatshëm për pozicionin.
Përveç përshpejtimit dhe lehtësimit të procesit për punëdhënësit, këto mjete promovohen si jodiskriminuese sepse, ndryshe nga rekrutuesit, ato nuk janë pak a shumë të ndikuar nga gjinia, ngjyra e lëkurës dhe karakteristika të tjera të tilla. Megjithatë, disa argumentojnë se sistemet e IA mund të imitojnë paragjykimet ekzistuese të botës së biznesit. Për shembull, në vitin 2018 Amazon ndaloi përdorimin e një mjeti eksperimental të IA pasi u zbulua se shmangte punësimin e grave bazuar në fjalët që shfaqeshin më shpesh në rezymetë e grave.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.