Tubacioni Greqi-Bullgari fillon operacionet për të nxitur flukset e gazit jo-rus!
Greqia dhe Bullgaria kanë filluar operimin komercial të një tubacioni gazi të vonuar gjatë, i cili do të ndihmojë në uljen e varësisë së Europës Juglindore nga gazi rus dhe në rritjen e sigurisë së energjisë.
Tubacioni 182 kilometra do të sigurojë një lehtësim për Bullgarinë, e cila ka luftuar për të siguruar furnizime me gaz me çmime të përballueshme që nga fundi i prillit, kur Gazprom i Rusisë ndërpreu dërgesat për shkak të refuzimit të Sofjes për të paguar në rubla.
Rusia ka ulur furnizimet e saj të gazit në Europë pasi Perëndimi vendosi sanksione ndaj Moskës për pushtimin e Ukrainës, duke i lënë vendet e Bashkimit Europian të përpiqen të sigurojnë furnizime alternative mes çmimeve në rritje.
Presidentja e Komisionit Europian përshëndeti nisjen e tubacionit të shtunën, për të cilin ajo tha se ishte çelësi për shkëputjen nga energjia ruse.
Tubacioni Interkonektor Greqi-Bullgari (IGB) do të transportojë 1 miliard metër kub (bcm) gaz azerbajxhanas në Bullgari.
Me një kapacitet fillestar prej 3 bcm në vit dhe plane për ta rritur më vonë këtë në 5 bcm, tubacioni mund të sigurojë gaz jo-rus për Serbinë fqinje, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë dhe më tej Moldavisë dhe Ukrainës.
Ai do të transportojë gaz nga qyteti verior grek i Komotinit në Stara Zagora në Bullgari. IGB është i lidhur me një tjetër tubacion, pjesë e Korridorit Jugor të Gazit që transporton gazin azerbajxhanas në Europë.
Tubacioni prej 240 milion euro kontrollohet nga një sipërmarrje e përbashkët midis kompanisë shtetërore bullgare të energjisë BEH, ndërmarrjes greke të gazit DEPA dhe Edison të Italisë.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.