Ulet sërish çmimi global i ushqimeve – Nëntori, muaji i tetë rradhazi që shënon rënie që nga marsi
Indeksi i çmimeve botërore të agjencisë së ushqimit të Kombeve të Bashkuara shënoi sërish rënie në muajin nëntor, e cila është e teta mujore radhazi që nga niveli rekord që arriti në muajin mars pas pushtimit rus të Ukrainës.
Indeksi i çmimeve të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë – FAO – që monitoron mallrat ushqimore më të tregtuara në nivel global, ishte mesatarisht 135.5 pikë muajin e kaluar, nga 135.9 në muajin tetor. Kjo shifër është e pandryshuar nga vlerësimi i mëparshëm i FAO-s. Pritshmëritë më të ulëta për drithërat, mishin dhe produktet e qumështit në nëntor, kompensuan çmimet më të larta për vajin e lulediellit dhe sheqerin.
Marrëveshja e një muaji më parë për të mbajtur hapur kanalin e eksportit të grurit nga Ukraina dhe për 120 ditë të tjera, zbuti shqetësimet për ndërprerjen e tregtisë masive të Detit të Zi si pasojë e luftës.
Rënia e lehtë në nëntor nënkupton që indeksi i ushqimeve i FAO-s është tani vetëm 0.3% mbi nivelin e tij të një viti më parë. Megjithatë, treguesi mbetet në nivele historikisht të larta pasi arriti një kulm 10-vjeçar në vitin 2021 për shkak të pengesave të korrjes dhe kërkesës së shpejtë sidomos nga Kina. FAO paralajmëroi muajin e kaluar se kostot rekord të importit të ushqimit që priten në vitin 2022 do t’i detyrojnë vendet më të varfra të shkurtojnë vëllimet e transportit.
Në vlerësime të veçanta të ofertës dhe kërkesës për drithëra, FAO uli parashikimin e saj për prodhimin global të drithërave në vitin 2022 në 2.756 miliardë ton nga 2.764 miliardë e vlerësuar muajin e kaluar. Parashikimi ishte 2% nën prodhimin e vlerësuar për vitin 2021 dhe do të shënonte nivelin më të ulët në tre vjet.
Rishikimi në rënie i projeksionit global të të korrave të drithërave reflektoi kryesisht perspektivat e dobëta të misrit në Ukrainë, me luftën që i bën operacionet pas vjeljes jashtëzakonisht të shtrenjta. Rezervat botërore të drithërave të parashikuara deri në fund të sezonit 2022/23 u rishikuan me 1.1 milion ton në 839 milion ton, 2.2% nën sezonin e mëparshëm dhe niveli më i ulët për tre vjet.
Raporti global i stokut të drithërave 2022/23, i përdorur shpesh si tregues i furnizimit, do të bjerë në nivelin më të ulët që nga viti 2013/14, por në një parashikim prej 29.3% do të përfaqësonte ende një nivel relativisht pozitiv, shtoi FAO.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.