Vendoret 2023 – Tre bashki, zgjedhje me votim elektronik
Qytetarët e Kamzës, Vorës dhe Elbasanit do të njihen me fituesit në garën për drejtimin e bashkive që në orën 19:30 të datës 14 Maj. Kjo sepse në këto tre bashki votohet në mënyrë elektronike për zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Projektit i shtrirë në këto tre Bashki përfshin 352 qendra votimi, në bashkinë e Elbasanit përkatësisht në 4 ZAZ, në Kamëz në dy ZAZ, ndërsa për bashkinë Vorë ZAZ është e njëjta ajo me numër 26. Me anë të sistemit elektronik do të kenë mundësi të votojnë rreth 311 mijë votues në këto 3 bashki.
Elbasani është bashkia më e madhe ku do të zbatohet kjo teknologji, me 224 qendra votimi për rreth 171 mijë votues. Në mënyrë që qytetarët e Elbasanit të mësohen me proçesin e votimit në mënyrë elektronike pajisjet kanë qëndruar për 10 ditë në hollin e teatrit “Skampa” në Elbasan për demonstrim të votimin dhe numërimit.
Komisionieri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se pajisjet elektronike garantojnë 100 % siguri nga sulmet e mundshme kibernetike dhe fshehtësi të votës. 311 mijë votues në këto 3 bashki për herë të parë do të votojnë elektronikisht ndërsa rezultatet e këtyre votimeve pritet të merren vetëm pak minuta pas mbylljes së procesit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka parashikuar gjithashtu se në rast të mosfunksionimit të aparaturave, procesi të kryhet manualisht. Nëse deri para disa muajsh sfida më e madhe ishte gjetja e parave për blerjen e teknologjisë, tani sfidë është gjetja e operatorëve që të thjeshtësojnë përdorimin e saj.
Si do të kryhet votimi elektronik
Qytetarët do kryejnë procedurat e identifikimit dhe të bëjnë zgjedhjen e tyre në sistem për zgjedhjen e kryetarëve të Bashkive. Në rast se duan ta ndryshojnë, mund ta heqin dhe të zgjedhin emrin e një kandidati tjetër. Më pas shfaqet fleta e këshilltarëve bashkiakë.
Kur të përfundojë procedura e votimit, qytetari mund të presë që të printohet letra për ta parë vizualisht. Në fund të të gjithë procesit të votimit, sistemi do arrijë që të nxjerrë rezultatin final brenda pak minutash.
Votimi elektronik problematikat
Në 2020-n, politika vendosi të përfshinte teknologjinë në zgjedhje, duke ia lënë në dorë KQZ-së vendimin për shtrirjen e saj. Por pas dy procesesh zgjedhore, KQZ-së iu mohuan fondet që kërkoi për garantimin e votimit dhe numërimit elektronik në 6 bashki të mëdha, duke pamundësuar edhe përmbushjen e nenit 22 të Kodit Zgjedhor.
Çfarë thotë ligji?
Ligji që rregullon procesin zgjedhor në Shqipëri, në nenin 22 të tij i jep KQZ-së kompetencën për të vendosur mbi përdorimin në zgjedhje të sistemeve dhe pajisjeve teknologjike. Madje, Kodi e detyron KQZ-në që përdorimin e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit ta zbatojë në zgjedhje nëpërmjet projekteve pilot, në jo më pak se 10% të numrit të zgjedhësve për çdo fazë të implementimit.
Kjo teknologji që KQZ zgjedh të përdorë në zgjedhje, duhet të jetë e aplikueshme të paktën në pesë procese zgjedhore të njëpasnjëshme. Kështu vendosi Partia Socialiste, ajo Demokratike dhe asokohe Lëvizja Socialiste për Integrim, në reformën zgjedhore të 2020-s për sistemet dhe pajisjet teknologjike që përdoren për identifikimin elektronik të votuesve dhe votimin elektronik.
Si u zbatua projekti në vitin 2021
Edhe pse me një afat shumë të shkurtër kohor dhe punë të madhe përgatitore përpara, KQZ arriti që në zgjedhjet parlamentare të 2021-shit të përdorte identifikimin elektronik të votuesve (përmes shenjave të gishtërinjve) në 100% të vendit, si dhe të pilotonte votimin elektronik në një nga zonat zgjedhore në Tiranë. Në projektin e parë që KQZ pilotoi për votimin elektronik, nuk u arrit të mbulohej as 1% e listës së zgjedhësve. Njësia 10 në Tiranë, e cila kishte 32 qendra votimi, mbulonte rreth 23,600 votues nga mbi 3 milionë e 500 mijë zgjedhës që regjistronte KQZ-ja në 2021-shin.
Sipas KQZ-së kjo ndodhi për shkak të mungesës së kohës për edukimin e personave që menaxhojnë pajisjet, si dhe trajnimit të qytetarëve për përdorimin e saj. Lidhja e kontratës me kompaninë e shpallur fituese në tender për pajisjet elektronike që mundësojnë votimin dhe numërimin elektronik, u realizua në datë 29 Mars 2021, më pak se një muaj përpara datës së zgjedhjeve.
Pavarësisht kësaj, rezultatet e dala nga kontrolli që KQZ i bëri fletëve të votimit, “vulosën” se në 2021-shin votimi elektronik në Njësinë 10 në Tiranë, ishte i suksesshëm. Ky raport vlerësimi për mbarëvajtjen apo jo të projektit pilot për votimin elektonik, duhej të përcaktonte vendimmarrjen e KQZ-së për përdorimin në vijim të teknologjisë, sipas Kodit Zgjedhor.
Votimi elektronik nw zgjedhjet e pjesshme, mars 2022
Nuk kaloi viti dhe Shqipëria e gjeti veten përballë një tjetër procesi zgjedhor. Shkak u bënë vakancat në 6 bashki të vendit, kryetarët e të cilave u shkarkuan apo dhanë dorëheqje për arsye që varionin nga arrestimi (në rastin e bashkisë Lushnje) tek dorëheqja për marrjen e postit të deputetit (Bashkia Dibër). Edhe në këto zgjedhje KQZ-ja vendosi të përdorë të njëjtat pajisje për votimin elektronik të zhvilluar në zgjedhjet parlamentare të 2021-shit. Bashkia Vorë numëronte 44 Qendra Votimi me mbi 30 400 votues. Edhe në këtë rast, vlerësimi ishte i njëjtë me atë të raportit për zgjedhjet e 2021-shit.
Zgjedhjet lokale 2023
Tashmë Shqipëria po organizon përsëri zgjedhje lokale, këtë herë në të gjithë bashkitë e vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i paraqiti qeverisë planin për shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik në 6 bashki nga 61 që ka në total.
Kostoja e zbatimit të teknologjisë në zgjedhje për vitin 2023, si për identifikimin biometrik në gjithë Shqipërinë dhe për votimin dhe numërimin elektronik të votave në 6 Bashki, u përllogarit të ishte rreth 5.3 miliardë. Nga këto, 3 miliardë lekë për votim/numërimin elektronik në 6 bashki të tjera, 1.3 miliardë lekë për identifikimin elektronik të zgjedhësve, kamerave, pagesave të komisionerëve dhe edukimit të zgjedhësve dhe rreth 1 miliard të tjera janë kosto administrative dhe logjistike.
Ky propozim i KQZ-së nuk u mor parasysh nga qeveria e cila në projekt-buxhetin për vitin 2023 ka përcaktuar 1.8 miliardë lekë për zgjedhjet. Buxheti i përcaktuar mbulon të gjitha aspektet e zgjedhjeve të 14 Majit, përveç shtrirjes së votimit dhe numërimit elektronik në 6 bashki të tjera, përpos Vorës.
Shpenzimet që KQZ pati në vitin 2021, kur bëri përgatitjen e sistemit të votim/numërimit elektronik, vërehet se thuajse 120 milionë lekë u deshën për projektin pilot në Tiranë që mbuloi vetëm 32 qendra votimi, me rreth 23,600 votues.
Por nëse pajisjet, administrimi dhe trajnimi i personelit për rreth 23,600 zgjedhës në vitin 2021 i kushtoi KQZ-së 120 milionë lekë, sa do duhej të kushtonte përgatitja për mbi 1 milion e gjysmë zgjedhës dhe më shumë se 2 200 qendra votimi?
Kjo kërkesë e KQZ-së do të përmbushte dhe tejkalonte detyrimin që vjen nga Neni 22 i Kodit Zgjedhor, që vijon të mbetet i paplotësuar, pasi pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik, edhe pas dy procesesh votimi, nuk është shtrirë ende në 10% të të gjithë votuesve.
Pas miratimit të projektbuxhetit në parlament, duket se edhe në zgjedhjet e vitit 2023 KQZ do përdorë të njëjtat pajisje që përdori në dy zgjedhjet pararendëse, duke mos përmbushur detyrimin për të mbuluar “jo më pak se 10% të zgjedhësve” siç e kërkon Neni 22 i Kodit Zgjedhor, por votimi elektronik do të bëhet vetëm në bashkitë Kamëz, Vorë dhe Elbasan.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.