Viti i pyjeve / Kumbaro kritikon bashkitë – ‘50% nuk kanë plane mbarështimi’
Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro në një konferencë për shtyp ka prezantuar aktivitetet e kalendarit kombëtar të Vitit të Pyjeve, i cili do të jetë më gjithëpërfshirës me fokus rritjen e sipërfaqeve pyjore dhe ruajtjen e tyre.
Kumbaro bëri me dije se deri më tani kemi 21 % rritje të zonave të mbrojtura duke shtuar se pyjet zënë 46% të territorit të Republikës. Pra, 2/3 e Republikës është pyje dhe kullota.
Gjatë fjalimit Kumbaro u shpreh se qeveria ka shtuar një portofol të ri për të koordinuar punën e bashkive, i cili do të vihet në përdorim nga shtatori .
Kumbaro ka kritikuar edhe disa nga bashkitë e vendit të cilat nuk kanë asnjë plan për pyjet.
“Fatkeqësisht rreth 8 vite që u bënë nga kalimi i pyjeve në administrim të bashkive dhe 4 vite pas hyrjes në fuqi të ligjit na rezulton se më shumë se gjysma 33 bashki nuk kanë asnjë plan vazhdimi. Ka bashki që gjatë periudhës 8-vjeçare nuk kanë asnjë shpenzim si zë investimesh në fondin pyjor”, tha Kumbaro.
E quaj të papranueshme që 8 vite pasi jeni bërë pronarë dhe administratorë të këtyre pyjeve. 50% e bashkive nuk i kanë këto plane mbarështimi. Performancë të dobët kanë pasur veçanërisht disa bashki që kanë fond pyjor të konsiderueshëm, kanë edhe të ardhura falë këtyre ekonomive por nuk kanë fare investime. Kam parasysh këtu Mirditën, Fushë-Arrëzin, Kolonjën, Pukën, Tropojën, Skraparin, Dibra. Nuk është normale as fakti që bashki me sipërfaqe shumë të madhe pyjore realizopjnë apo deklarojnë të ardhura shumë të pakta prej ekonomive pyjore, si Malësia e Madhe, Puka, Hasi.Ka bashki që raportojnë 0 Lekë të ardhura si Himara, Finiqi, Lezha, Dropulli, Memaliaj, Kurbini, Vlorë, Divjaka, Roskoveci. Dhe i bie që janë afërsisht 1/3 e bashkive në Shqipëri që nuk realizojnë të ardhura nga ekonomia pyjore. 57 ekonomi pyjore kanë plane të kryera mbarështimi”, tha Kumbaro.
“Kemi dhe shembuj pozitiv. Për vitin që lamë pas kemi raste inkurajuese të 13 bashkive që kanë kryer investim të rëndësishëm në fondin pyjor. Dua të veçoj Bashkinë e Tiranës. E kam te modeli, ka investuar gradualisht çdo vit në planet e mbarështimit. Në krye të kaq vite ka ndërtuar sot një ndërmarrje publike si biznes publik të qëndrueshmë që prodhon ekonomi. E dyta bashki është Bashkia e Elbasanit e cila vjen gjithashtu me të njëjtin model. E ndjekur nga Korça, Prrenjasi, Kukësi, Devoli, Librazhdi, Poliçani, Vau i Dejës, Gramsh, Patos. Ndonëse Bashkia Shkodër nuk ka pasur të ardhurat e duhura për sipërfaqen e konsiderueshme që ka, në gjysmën e dytë të këtij viti ka bërë investime në pyje shumë më tepër nga çka nxjerrë të ardhura. Me sipërfaqen pyjore që ka, Shkodra mund të bëjë më shumë”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Ministrja u bëri thirrje bashkive ti bashkohen projektit, duke theksuar se të gatshme për të angazhuar njerëz dhe burime financiare në këtë projekt kanë qenë vetëm 29 prej tyre.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.