‘Zhdukja’ e dyqaneve të vogla gjermane – Pse dhe cilat janë pasojat?!
Gjithnjë e më shumë dyqane në Gjermani po vendosin kyçin, shkatërrimi i dyqaneve të vogla po vazhdon dhe numri i tyre po zvogëlohet. Sipas parashikimit të Shoqatës Gjermane të Tregtisë (HDE), rreth 9.000 dyqane shtesë do të mbyllin dyert këtë vit. Në Gjermani kanë mbetur edhe 311.000 prej tyre. Ndërkohë për krahasim në vitin 2015, kishte rreth 373.000 dyqane.
Fakt është se numri i dyqaneve në Gjermani ka kohë që është në rënie. Kjo ishte veçanërisht e theksuar gjatë viteve të koronës 2020-2022, kur numri i dyqaneve ra me 11.000 në vit. Vëmendja e publikut përqendrohet kryesisht tek mbyllja e dyqaneve të zinxhirëve të mëdhenj, si Galerie Kaufhof, dyqanet e këpucëve Görtz ose rrjeti i modës Gerry Weber.
Por shumica e mbylljeve sipas HDE janë dyqane të vogla si butikë apo furra buke. Blerja në internet është një nga faktorët kryesorë të kësaj gjendjeje. Përveç kësaj, gjatë koronës, edhe më shumë njerëz u mësuan të porosisin online. ‘Shuarja’ e dyqaneve të vogla vërehet në lagjet jashtë qendrave të qyteteve të mëdha, por mbi të gjitha në qytetet më të vogla dhe të mesme.
Duke pasur parasysh ambientet e shumta afariste që janë zbrazur, HDE kërkon nga komunat një angazhim më të fortë dhe një ofensivë më të madhe për të ndalur rënien e numrit të dyqaneve.
Megjithatë vetë klientët nuk janë më entuziastë për blerjet në qendrat e qyteteve gjermane ku dyqanet janë të përqendruara në zonat e këmbësorëve. Sipas një sondazhi të Institutit për Kërkime Tregtare (IFH) të kryer në fund të vitit të kaluar, shumica u përgjigj se nuk do t’ua rekomandonte miqve të tyre blerjet në qendër të qytetit. DW
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.