2023, Viti i hekurudhave – Projektet infrastrukturore që “morën rrugë”!
Viti 2023 shënoi nisjen e disa projeketeve të rëndësishme infrastrukturore rrugore, ndërkohë që zhvillime pati edhe në drejtim të transportit hekurudhor.
Një nga projektet e rinj që avancoi gjatë këtij viti ishte Korridori VIII, për të cilin gjatë gjithë vitit u realiziun disa procedura tenderuese, teksa në disa prej segmenteve nisën punimet.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompanitë fituese për fazën 3 dhe 4 për aksin rrugor Elbasan – Qafë thanë, që është pjesë e korridorit 8. Për lotin 3 të rrugës punimet do të zbatohet nga kompania 2 T, që është përzgjedhur me një ofertë prej 2.11 mld lekë, nga 2.5 mld lekë që ishte fondi limit i vënë në dispozicion. Ndërkohë që, për lotin 4 fituese është shpallur kompania A.N.K me një ofertë prej 2.08 mld lekë, teksa fondi limit edhe për këtë segment ishte 2.5 mld lekë. Së bashku me këto procedura, ARRSH ka përmbyllur tenderët për 4 lote të këtij aksi rrugor, ku për lotet 1 dhe 2 tashmë kanë nisur punimet. Në fazë më pak të avancuar për këtë segment është pjesa nga Bushtrica deri në pikën e re doganore me Maqedoninë e Veriut, që aktualisht është në fazë projektimi. Fituesi i tenderit u shpall pak javë më parë, ndërkohë që projekti i zbatimit do të jetë gati pas më shumë se 18 muajsh. Vetëm pasi ai të jetë gati do të mund të kryhen procedurat tenderuese për ndërtimin e tij.
Paralelisht është duke u projektuar bypassi i Elbasanit, që sipas afateve kontraktuale duhet të jetë gati në vitin 2024. Koridori 8 nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, në portet e Durrësit e Vlorës dhe më pas vazhdon drejt Elbasanit, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi.
Përveç tenderimit, për këtë aks rrugor u zhvilluan edhe bisedime me Maqedoninë e Veriut, për përcaktimin e pikës së re doganore.
Autoritetet shqiptare dhe maqedonase kanë dakordësuar pikën e re doganore mes 2 vendeve, si pjesë e projektit rrugor të korridorit 8, që synon shmangien e Qafë Thanës dhe shkurtimin e aksit me 20 km. Gjithçka u bë me dije gjatë inspektimit të punimeve në një prej loteve të këtij korridori, që ka një gjatësi prej 5 km. Balluku foli edhe për ndërtimin e bypassit të Elbasanit, duke bërë me dije se pas hartimit të projektit do të aplikohet për kredi, me qëllim sigurimin e fondeve për ndërtimin e tij.
Gjithashtu, për këtë vepër infrastukturore ka nisur projektimi është për segmentin tjetër, nga Lekaj në Elbasan.
Projektimi i aksit rrugor Elbasan – Lekaj, që është pjesë e korridorit VIII do të jetë gati pas 2 vitesh. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur konsorciumin e kompanive fituese, me një ofertë prej rreth 75 mln lekësh, teksa në garën tenderuese morën pjesë 6 kompani, por 4 prej tyre u skualifikuan për mospërmbushje të kritereve të tenderit. Procedura e prokurimit publik u hap në fund të muajit maj, ndërkohë që referuar dokumenteve të tenderit, segmenti Elbasan – Lekaj pritet të ketë një gjatësi prej rreth 40 km. Kompania projektuese do të duhet të planifikojë lidhjen e tij me bypassin e Elbasanit, që gjithashtu është në fazë projektimi, ndërsa aksi i ri duhet të përfundojë në Lekaj, ku do të kryqëzohet me korridorin Adriatiko – Jonian. ARRSH e argumenton nevojën e projektimit të këtij segmenti të ri me ndërtimet dhe urbanizmin e shpejtë e të pakontrollar në disa raste, që iu bë aksit ekzistues që është bypass-i i Rrogozhinës. Këto procedura tenderuese vijnë pas përfshirjes së korridorit VIII në Rrjetin Ndëreuropian të Transportit TEN-T, nga Bashkimi Evropian.
Avancime u shënuan edhe për aksin rrugor Milot – Fier, për të cilin u shpallën kompanitë fituese dhe nisën punimet.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur fituesit e koncesioneve, për 2 segmentet e aksit rrugor Milot – Fier. Bëhet fjalë për segmentet Milot – Thumanë dhe Kashar – Lekaj, me gjatësi 13.5 km dhe 26.6 km, që janë dhe 2 akset e fundit për të cilët gara nuk është finalizuar. Për segmentin Milot – Thumanë fitues është shpallur konsorciumi i 3 kompanive, përfshirë “Gener 2”, që është edhe mbajtës i kontratës i aksit Thumanë – Kashar. Ky segment është i vendosur në rrugë ekzistuese të kategorisë A, teksa partneriteti publik – privat parashikon vetëm përmirësim të standardeve. Ndërkohë që, për aksin Kashar – Lekaj është shpallur fitues një bashkim prej 7 operatorësh (“Gjoka Konstruksion”, “Junik”, “Cobial” sh.p.k. , “Pepa Group” sh.p.k, “UDHA” sh.p.k. “Geoportal”, “A&E Engineering”). Ky segment do të ndërtohet në një gjurmë të re, ndërkohë që në total do të ketë një gjatësi prej 33.6, pasi 7 km të këtij seksioni janë pjesë e bypassit të Tiranës dhe do të ndërtohen nga kompania që do të kryejë punimet për këtë të fundit e për pasojë nuk janë objekt i koncesionit. Fituesit për aksin Lekaj – Fier u shpallën disa muaj më parë, çka do të thotë se këta ishin 2 akset e fundit, për të cilët nuk kishte një njoftim zyrtar për ecurinë e garës. Koncesioni i autostradës Milot – Fier do të zgjatë 35 vjet, ndërsa përgjatë gjithë gjatësisë kalimi i automjeteve do të jetë me pagesë. Të ardhurat e kompanive që do të ndërtojnë rrugën do të sigurohen nga këto pagesa, ndërkohë që ngjashëm me kontratën për segmentin Thumanë – Kashar, për 8 vite buxheti i shtetit do të rimbursojë kompanitë private, në rast të trafikut të munguar.
Një tjetër projekt rrugor, që u financua gjatë vitit 2023 ishte aksi Berat – Ballaban.
Ndërtimi i lotit 3 të rrugës Berat – Ballaban do të kushtojë 2.2 mld euro. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka lidhur kontratën me kompaninë Albavia, që është shpallur fituese e tenderit mbi kufirin e lartë monetar, ndërkohë që referuar dokumenteve të tenderit kohëzgjatja e punimve do të jetë 24 muaj. Rruga ka një gjatësi totale prej 58 km, ndërkohë që loti 3 për të cilin është lidhur kontrata përfshin një segment prej 16 kilometrash. Sipas përshkrimit gjatë hapjes së garës, aktualisht sipërfaqja e rrugës është jashtëzakonisht e dëmtuar. “Kalimi i veturave nëpër këtë pjesë është i vështirë deri dhe i pamundur, ndërkohë që në vende të ndryshme gjerësia e rrugës është dhe më e vogël se 3 m”, – thuhet ndër të tjera në dokument. Ndërkaq, qëllimi i përgjithshëm i investimit është kontributi në përmirësimin e kushteve të jetesës së popullatës në zonat në të cilat kalon, duke përmirësuar kushtet e qarkullimit automobilistik të banoreve dhe për prodhimet e tyre bujqësore dhe blegtorale. Po ashtu. përmirësimi i këtij aksi shkurton kohën dhe distancën e udhëtimit automobilistik ndërmjet bashkive Përmet, Tepelenë, Memaliaj dhe Gjirokastër me bashkinë Berat, ndërsa pritet të krijojë akses më të afërt edhe me shtetin fqinj Greqinë, nëpërmjet pikës doganore “Tre Urat”. Sipas dokumenteve të tenderit, një rëndësi të veçantë merr edhe në shkurtimin e guidave turistike duke krijuar mundësinë e një kombinimi më të mirë mes turizmit të trashëgimisë kulturore, atij natyror gjeografik dhe agroturizmit.
Gajtë vitit 2023 u hap për qarkullimin e automjeteve edhe aksi rrguor Orikum – Dukat, duke lehtësuar lëvizjen drejt jugut të vendit.
Aksi rrugor Orikum – Dukat do të hapet për qarkullimin e automjeteve gjatë sezonit turistik, ndërkohë që punimet do të mbyllen tërësisht në muajin shtator. Gjatë inspektimit të punimeve, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se pavarëisht problemeve të hapura me shpronësimet në zonë, aksi do të dorëzohet përpara afateve kontraktuale. Sipas Ballukut, hapja e këtij segmenti ndihmon në zhvillimin turistik të zonës.
Kjo rrugë po ndërtohet përmes një partneriteti public – privat, ndërsa kosto e kontarës arrin në rreth 67.4 mln euro. Gjatësinë totale e saj është 14.7 km, ndërsa bën lidhjen me tunelin e Llogarasë, që parashikohet të përufndojë në qershor të vitit 2024.
Por, viti 2023 mun dtë konsiderohet si viti i hekurudhuave, duke qenë se pati zhvillime në një sërë projektesh. Një prej tyre është hekurudha Vorë – Hani i Hotit, pjesë e korridorit X hekurudhor.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka avancuar në procedurat për dhënien e kredisë sovrane prej 62.9 milionë euro për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit. Sipas BERZH, aktualisht është duke u kryer vlerësimi final, përpara se të kalohet në aprovimin përfundimtar të huasë. Projekti për rehabilitimin e kësaj linje hekurudhore parashikohet të bashkëfinancohet nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që, kosto totale e projektit vlerësohet në rreth 267 milionë euro. Linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit ka një gjatësi prej rreth 120 km dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga jugu në veri. Ajo lidh qytetet e Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut, ndërsa kalon kufirin shtetëror Shqipëri/Mal i Zi në Hanin e Hotit. Sipas dokumentit të projektit të zbatimit, nevoja për rehabilimin e saj ësht e madhe, pasi infrastruktura e trasesë është përkeqësuar për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, teksa shpejtësia maksimale e lëvizjes së trenave është rreth 40 km/orë, dhe në pjesë të caktuara është më e ulët se 20 km/orë. Po ashtu, sistemi i sinjalizimit është pothuajse inekzistent. Si rezultat, nuk ka një sistem të kontrolluar sigurie për lëvizjen e trenave, e për pasojë rreziku i aksidenteve është i lartë. Ndërkaq, tërmeti i 26 Nëntorit 2019 ndërpreu punën e kësaj linje hekurudhore për shkak të dëmtimit të urës së Ishmit. Para këtij tërmeti, transporti i udhëtarëve mbulohej nga dy trena në ditë, por numri i udhëtarëve ishte shumë i ulët. Edhe transporti i mallrave linte për të dëshiruar, me kohë udhëtimi të stërgjatur dhe kërkesë të ulët dhe jo të planifikuar. Ndërkaq, projekti i hartuar për rehabilitimin e kësaj linje hekurudhore do mundësojë lëvizjen e trenave me shpejtësi 120 km/orë.
Gjithashtu, korridori VIII hekurudhor u përfshi në rrjetin transevropian TEN-T, duke I dhënë prioritet financimit të ttij nga Bashkimi Evropian.
Korridori VIII hekurudhor, që nis nga Porti i Durrësit, deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut do të bëhet pjesë e rrejtit kryesor transevropian të transportitt, që njihet ndryshe si TEN-T. Aktualisht, ky segment ka qenë pjesë e rrjetit gjithëpërfshirës, por me riklasifikimin e tij i jepet priortiet për investime në të ardhmen. Për t’u bërë pjesë e rrjetit kryesor fillimisht parlamenti shqiptar duhet të miratojë marrëveshjen e nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për harta treguese të rrjetit transevropian të transportit në vendin tonë. Ndërkohë që, kjo marrëveshje shërben për procedurë për të vijuar me miratimin nga Komisioni Evropian të ndryshimit të rregullores së BE-së, për zgjatimin e rrejtit TEN-T kryesor. Rregulloja TEN- T identifikon projektet me interes të përbashkët, përcakton prioritetet për zhvillimin e rrjetit transevropian të transportit dhe specifikon kërkesat që duhen respektuar për menaxhimin e infrastrukturës së rrjetit transevropian të transportit. Investimi i mundshëm në këtë linjë do të ishte një hap përpara, duke qenë se mungesa e investimeve në projekte hekurudhore e kanë çuar këtë transport drejt rënies së vazhdueshme, teksa shifrat e pasagjerëve janë tejet të ulta, në raport me transportin rrugor dhe atë ajror. Aktualisht janë disa projekte ku kanë nisur punimet apo janë hedhur hapa drejt projektimit të tyre, por dëri në përfundim të tyre gjatësia e rrjetit hekurudhor në shfrytëzim në vend mbetet vetëm 204 km. 3 linjat e shfrytëzueshme janë Kufi- Gjorm, Durrës – Elbasan dhe Fier – Vlorë. Numri i pasagjerëve për periudhën prill – qershor të këtij viti u regjistrua në 3.290, duke shënuar rënie me 34,5 %, krahasuar me 3-mujorin e dytë 2022.
Në fakt, hapa konkretë u shënuan në fund të vitit, duke qenë se Komisioni Europian akordoi 62 milionë euro grant për ndërtimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII. Paralelisht, avanvoi edhe një tjetrë projekt hekurudhor, ai i hekurudhës Durrës – Prishtinë.
Studimi i fizibilitetit për hekurudhën Durrës – Prishtinë do të kushtojë 169 mln lekë, pa TVSH. Hekurudha Shqiptare ka shpallur konsorciumin e kompanive fituese, që do të hartojnë dokumentin, që do të shërbejë më pas për tenderimin dhe zbatimin e projektit. Fitues është shpallur bashkimi i kompanive ILF Consulting Engineers Austria GmbH & ABKONS SH.P.K, ndërkohë që sipas dokumentit afati për përmbylljen e studimit është 14 muaj nga nënshkrimi i kontratës. Në garë morën pjesë 5 kompani, por 4 prej tyre u skualifikuan për mosplotësim të kritereve të tenderit. Ofertat e 3 nga 4 kompanitë e skualifikuara ishin më të ulta se ajo që u shpall fituese. Ideja për ndërtimin e një linje hekurudhore që lidh Shqipërinë me Kosovën ka nisur shumë vite më parë, por deri më tani nuk është realizuar. Ndërkohë, gjatë vitit 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e transportit hekurudhor, i cili u finalizua në mbledhjen e të dy qeverive në Prishtinë, në 20 Qershor 2022, q ëi hapi rrugë zbatimit të projektit. Sipas dokumenteve të tenderit, linja hekurudhore Shqipëri – Kosovë përfaqëson një projekt strategjik shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ardhshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Projekti nis me portin e ri të mallrave të Durrsit, që do të ndërtohet në Porto Romano dhe do të ketë si pikë fundore portin e thatë në Prishtinë. Për hartimin e studimitit të fizibilitetit do të merren në konsideratë 2 alternativa e ekzistuese, dhe një e tretë që do të përcaktohet nga vetë konsulenti gjatë vizitave në terren. Alternativa e parë përfshin ndërtimin e linjës hekurudhore Mjedë – Kufi në Qafë Morinë – Kramovik, ndërsa alternativa e dytë ka si itinerar Milotin – Kufiri në Vërmicë – Landovicë. Objektivi i përgjithshëm i studimit është të kontribuojë në ndërtimin e hekurudhës së re ndërmjet Durrësit dhe Prishtinës, që do të rezultojë në përmirësimin e lidhjes së transportit midis dy vendeve dhe rajonit, zbatimin e rregulloreve të BE-së në transport, uljen e bllokimit të trafikut rrugor, uljen e trafikut tranzit në qytete dhe uljen e ndotjes urbane për shkak të emëtimit të automjeteve.
Ndërkaq, për vitin 2024 janë një sërë projektesh infrastrukturoë që pritet nisin apo të përfundojnë. Unaza e Madhe e Tiranës është një prej tyre.
Gjatë inspektimit të punimeve në lotin 4, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se pavarësisht pengesave të hasura me gjeologjinë e tokës dhe shpronësimet, afatet kontraktuale do të arrihen. Balluku foli edhe për aksin Qukës – Qafë Plloçë, që pas vonesave të krijuara ndër vite pritet të avancojë, duke qenë se financimi tashmë është sigurruar. Ndërkaq, Balluku bëri me dije edhe detajet për ecurinë e punës në tunelin e Murrizit, duke specifikuar se aktulisht po punohet për 80 metrat e fundit të gërmimit.
Po ashtu, gjatë 2024-ës do të nisin punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës.
Autostrada Tiranë – Durrës do të shtohet me nga 2 korsi në secilin kah lëvizjeje, duke bërë që në total të arrihet në 8 korsi. Detajet u bënë me dije nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë diksutimit të buxhetit të investimeve për vitin që vjen në komisionet parlamentare. Paralelisht, Balluku bëri me dije se në muajin dhjetor rihapet gara e koncesionit për aksin Milot – Balldren.
Ndërkaq, një projekt rrugor që pritet të sjellë lehtësim të trafikut është bypassi i Tiranës, për të cilin do të nisë buxhetimi në vitin 2024. Ministrja foli edhe për ecurinë e një sërë projektesh të tjerë rrugorë, duke theksuar se Unaza e Madhe e Tiranës dorëzohet në fund të viti 2024. Sa I takon aksit Qukës – Qafë Plloçë loti I dhe II ka një vaancim të punimeve në masën 80% dhe 77 %, ndërsa loti III në masën 40%, duke parashikuar që hapja e plotë për qarkullimin e automjeteve do të bëhet në vitin 2025.
Gjatë vitit 2024 priten zhvillime edhe në drejtim të transportit detar, duke qenë se buxheti i akorduar pësoi rritje të ndjeshme.
Buxheti për transportin detar parashikohet të pësojë rritje të ndjeshme në 3 vitet e ardhshme, sipas programit buxhetor afatmesëm të publikuar në Fletoren Zyrtare. Sipas dokumentit, në buxhetit fillestar 2023 ky transport kishte të akorduar një buxhet prej 186 mln lekë, ndërkohë që për vitin 2024 vlera do të ketë një kapërcim të madh, duke arritur në 11.18 mld lekë. Rritja do të jetë edhe më e madhe në vitet 2025 dhe 2026, ku sipas programit buxhetor afatmesësm janë parashikuar respektivisht 14.18 mld dhe 16.18 mld lekë. Kjo rritje e buxhetit përkon me priortietet e vendosura nga qeveria për periudhën 2024-2026, ku tek investimet publike projekti i ri “Ndërtimi i Portit të ri tregtar Porto Romano Durrës”, është një nga 3 projektet e reja kryesore të përfshira në listën unike të projekteve me rëndësi kombëtare. Projekti i Portit të Integruar në Porto Romano parashikon rritje të kapaciteteve vjetore të përpunimit të kontejnerëve dhe mallrave, ndërkohë që në drejtim të pasagjerëve nuk parashikohen ndryshime domethënëse. Sipas projektit, realizimi i infrastrukturës së re portuale parashikon një kapacitet vjetor përpunues prej më shumë se 2 mln kontejnerësh, nga 180 mijë që është aktualisht. Po ashtu, kapaciteti vjetor i përpunimit të mallrave parashikohet të jetë mbi 50 mln ton në vit apo disa fish më shumë sesa përpunohet sot në terminalet e mallrave gjenerale dhe atyre rifuxho, në 2 terminalet ekzistues. Sipas projektit të ri, zona e interesit në brendësi të tokës për Portin e Integruar të Durrësit në Porto Romano ka një sipërfaqe prej 300 ha, ndërkohë që sipas Autoritetit Portual Durrës, ndërtimi i portit të ri detar do të jetë në gjendje të përballojë kërkesat në rritje për të gjithë vendet e rajonit.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.