Turizmi tejkalon çdo parashikim – Viti 2023 prek rekord të padiskutueshëm, e tregojnë shifrat
Turizmi padyshim që ka qenë kryefjala e këtij viti, pasi muaj pas muaji ka regjistruar rekorde të reja duke thyer çdo parashikim. Shifrat zyrtare nga “Instituti i Statistikave” bëjnë me dije përmes treguesve të ndryshëm që lidhen si me hyrjet e vizitorëve, ashtu edhe me strukturat akomoduese apo edhe transportin ajror, se turizmi në vitin 2023 ka përjetuar momentin më të mirë historik. Referuar të dhënave sezoni veror ka qenë mjaft i mbarë, por jo vetëm, pasi shifrat pozitive kanë reflektuar një zgjatje të sezonit veror edhe në vjeshtë. Gjatë periudhës Janar-Nëntor janë regjistruar gjithsej 9.5 milion të huaj, të cilët kanë vizituar vendin. Treguesit e lëvizjes së shtetaseve dhe strukturave akomoduese për muajin Janar të këij viti flisnin për një fillim të mbarë të vitit.
Numri i vizitorëve ashtu edhe numri i netë qëndrimeve është rritur në Janar me 26% dhe 1.3%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Në Janar janë regjistruar gjithsej 75,741 vizitorë. Kjo shifër është jo vetëm më e lartë se Janari i vitit 2022 dhe 2021, por ka tejkaluar edhe Janarin e vitit 2019-të, i cili regjistronte rreth 36 mijë vizitorë gjithsej.
Turizmi ka ardhur në rritje edhe përgjatë muajit Shkurt të këtij viti si në numër vizitorësh ashtu dhe në numër netë qëndrimesh. Nga të dhënat vihet re se përgjatë tremujorit të parë rajoni më i preferuar ka qenë rajoni i veriut pasi treguesit kanë shënuar edhe rritjen më të lartë.
Gjatë periudhës Janar-Mars turistët kanë shpenzuar në Shqipëri rreth 624 milionë euro duke konfirmuar kështu trendin mjaft pozitiv të sektorit, të nisur që prej vitit të kaluar. Shifrat e tremujorit të parë të vitit sinjalizojnë një rekord historik absolut. Rekordi i mëparshëm për këtë periudhë kohore regjistrohej një vit më parë, me “vetëm” 408 milionë euro, çka do të thotë se rekordi është tejkaluar me 216 milionë euro, ose me 53%.
Kujtojmë se gjatë vitit 2022 si të plotë, sipas Bankës së Shqipërisë, turistët shpenzuan në vend rreth 2.8 miliardë euro, duke regjistruar nivele rekord të larta. Ndërkohë, shifra e tremujorit të parë të vitit rezulton të jetë më e lartë edhe se tremujori i tretë i vitit 2017. Kjo do të thotë se periudha Janar-Mars e këtij viti, ka qenë më e frytshme për turizmin se i gjithë sezoni veror i vitit 2017 dhe të gjitha sezonet e tjera verore përpara këtij viti. Në Korrik-Shtator 2017 turistët shpenzonin vetëm 588 milionë euro.
Rritja e ndjeshme e shpenzimeve të turistëve në vendin tonë nuk është rrjedhojë vetëm e rritjes së çmimeve, pasi të dhëna të tjera nga Instat, si për hyrjet e shtetasve, ashtu edhe për strukturat akomoduese sinjalizojnë një `boom` të konsiderueshëm të sektorit këtë vit, madje edhe përtej niveleve të vitit të kaluar, kur u “thye” edhe periudha para pandemisë, shifra që do ti shohim edhe në vijim. Madje, Shqipëria rezulton ndër të paktat vende që gjatë vitit të kaluar ka kaluar nivelet e para-pandemisë sa i përket fluksit të turistëve.
Por, nivele rekord shpenzimesh raportohen edhe nga shqiptarët jashtë, me 434 milionë euro në TI 2023. Gjithsesi, bilanci neto mes shpenzimeve të turistëve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë fiksohet pranë 190 milionë euro-ve, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për tremujorin e parë të vitit.
Sipas publikimit mbi lëvizjet e shtetasve, në tremujorin e parë të vitit në Shqipëri hynë 1 milion e 30 mijë të huaj, një shifër goxha më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërkohë që në tremujorin e dytë erdhën në Shqipëri rreth 2.3 milion të huaj.
Edhe sezoni veror ka ndjekur të njëjtën trajektore duke konfirmuar rekorde të reja. Të dhënat e ‘Institutit të Statistikave’ tregojnë se jo vetëm turistët e huaj shënuan rritje, por edhe turistët vendas patën goxha interes. Sipas shifrave mbi strukturat akomoduese, të analizuara nga ‘Scan Intel’, vetëm në tre muajt klasikë të verës, pra Qershor-Gusht, u llogaritën 1.1 milion vizitorë gjithsej dhe 3.4 milion netë qëndrime në stukturat akomoduese.
Por sa qëndruan të huaj në Shqipëri gjatë sezonit veror?
Pra thamë se nga të dhënat e INSTAT numri total i vizitorëve në vendin tonë për periudhën Qershor-Gusht logaritet në 1.1 milion. Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar ky tregues për të njejtën periudhë llogaritej në 752 mijë vizitorë gjithsej. Pra nga një përllogaritje dalim në përfundimin se rritja këtë vit e numrit të turistëve është 51.5%.
Nga ana tjetër, numri i vizitorëve të huaj përgjatë sezonit veror të këtij viti është 723 mijë nga 464 mijë gjatë tre muajve të verës së kaluar. Pra kemi një rritje me rreth 260 mijë të huaj më shumë këtë vit.
Por si paraqitet numri i netë qëndrimeve? Nga të dhënat e përpunuara nga ‘Scan Intel’ janë regjistruar gjithsej rreth 3.4 milionë netë qëndrime gjithsej. Shifrat për vitin e kaluar flasin për rreth 2.2 milion netë qëndrime. Pra, në shifra absolute, për periudhën Qershor-Gusht, ky vit ka regjistruar reth 1.1 milion netë qëndrime më shumë ose në përqindje rreth 53.6% rritje. Sa i përket tipologjisë së vizitorëve të dhënat tregojnë se numri i netë qëndrimeve nga vizitorët e huaj përgjatë tre muajve është regjistruar në 2.3 milionë netë.
Sa qëndruan mesatarisht turistët në vendin tonë? Përmes këtyre treguesve ‘Scan Intel’ ka llogaritur netët mesatare të qëndrimit për totalin e vizitorëve si edhe për vizitorët e huaj. Referuar shifrave numri mesatar i netë qëndrimeve nga vizitorët për tre muajt e verës është 2.7 netë. Nga ana tjetër, numri mesatar i netë qëndrimeve nga vizitorët e huaj llogaritet në 3.2 netë për person.
Italianët ‘pushtojnë’ Shqipërinë
‘Scan Intel’ ka kryer një sërë analizash mbi ndryshimet që ka shënuar turizmi, duke përfshirë rritjen e numrit të hyrjeve, vendet e origjinës apo edhe netë qëndrimet. Nga të dhënat e përpunuara vihet re se një numër i lartë turistësh që kanë vizituar Shqipërinë janë sidomos nga Kosova dhe Italia. Këtë herë ‘Scan Intel’ është përqëndruar në atë çfarë thonë të dhënat zyrtare për italianët. Sipas shifrave referuar “Institutit të Staistikave” Shqipërinë e kanë vizituar, gjatë periudhës Janar-Korrik të këtij vitit, 430,027 italianë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë ky tregues regjistrohej në 280,881 vizitorë. Pra, rritja gjatë vitit 2023 fiksohet në 53.1%. Është marrë vetëm kjo periudhë pasi INSTAT nuk disponon të dhëna për muajt e tjerë.
Nëse analizojmë të dhënat sipas vendeve të origjinës për periudhën Janar-Korrik të këtij viti shohim se Italia është renditur si vendi i dytë me numrin më të lartë të shtetasve të cilët kanë vizituar Shqipërinë. Ndërkohë, në vend të parë kemi Kosovën. Në 7 muajt e parë të vitit, shtetasit nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë numërohen në rreth 2.2 milion. Shtetasit nga Mali i Zi janë të tretët dhe ndjekin në renditje Maqedonia e Veriut, Greqia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara.
Nga të dhënat e analizuara shohim se në harkun kohor të 25 viteve viti 2022 ka prekur rekord absolut të vizitorëve nga Italia. Gjatë vitit të kaluar kanë hyrë në vendin tonë rreth 610 mijë italianë, nga 354 mijë gjatë vitit 2021. Nga tendenca e shifrave të mësipërme sa i përket shtatë muajve të vitit aktual shohim se mund të parashikohet një rekord i ri deri në fund të 2023-shit.
Por përse ky fluks i italianëve vitet e fundit apo edhe i turistëve të tjerë në përgjithësi? Kryesisht kjo mund të vijë si pasojë e diferencës së çmimeve, pra kemi çmime më konkuruese ose më ekonomike. Faktorë të tjerë mund të jenë investimet që janë bërë në këtë sektor, fleksibiliteti i kompanive turistike dhe shtimi i linjave ajrore direkte.
Shqipëria “shpërthen” edhe në ‘Google’
“Shpërthimi” i turizmit këtë vit është vënë re si me perceptim të kujtdo, ashtu edhe nëpërmjet shifrave publike të hyrje daljeve të shtetasve të huaj, apo edhe artikujve të mediave të huaja prestigjioze e jo vetëm. “Scan Intel” ka parë një anë tjetër të këtij suksesi, atë se sa është kërkuar Shqipëria në rrjet dhe krahasimin me vitet e kaluara në kategorinë e udhëtimeve.
Edhe në këtë aspekt, shifrat flasin qartë, pasi vendi ynë (fjala Albania) është kërkuar më shumë se kurrë më parë ndonjëherë në Google (që është motori më i madh i kërkimit në botë) gjatë muajve Korrik-Gusht të këtij viti. Madje, diferenca me vitin e kaluar është drastike. Një vit më parë, në të njëjtën periudhë kohore, Shqipëria është kërkuar në Google sa 54% e kërkimeve të këtij viti. Krahasuar me vitet pararendëse të 2022-shit ndërkohë ky hendek thellohet edhe më tej, në mbi 3 herë më shumë këtë vit.
Sa i përket gjeografisë së kërkimeve, pas Shqipërisë dhe Kosovës, pjesa më e madhe vijnë nga Italia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Polonia, Norvegjia.
Në lidhje me kërkimet më të shpeshta në lidhje me Shqipërinë ne Google në vend të parë është “Voli Albania”, që lidhet drejtpërdrejtë nga kërkimet në rrjet nga italia dhe fill pas saj “Albania flights”, dhe që të dyja përkthehen në: fluturime në Shqipëri. Edhe “Air Albania” dhe “Tirana” përfshihen ndër “Top 5”. Këto të dhëna i referohen vetëm kërkimeve në Google në kategorinë `udhëtime” për fjalën Albania. Ndërkohë, nëse shohim kërkimet për të njëjtën fjalë, por sa i përket fotove, shohim se sërish Shqipëria këtë vit është ndjeshëm mbi nivelin e viteve të kaluara.
Këto shifra konfirmojnë edhe njëherë se Shqioëria këtë vit është përfshirë në hartën e destinacioneve ndërkombëtare të pushimeve dhe udhëtimeve, qoftë për ata që kanë vendosur të vijnë në vendin tonë pas kërkimeve të bëra në rrjet apo gjetkë, qoftë për ata që janë interesuar për vendin tonë, por kanë vendosur mos të vijnë pasi nuk i`u ka pëlqyer apo e kanë shtyrë për vitin e ardhshëm, apo qoftë për ata që janë shtyrë vetëm nga kurioziteti.
Shqipëria ndër destiancionet e preferuara
Shqipëria është renditur si vendi me rimëkëmbjen më të shpejtë të turizmit pas pandemisë sipas një raporti të “Skift Research” të publikuar këtë vit. Ky raport i titulluar “Gjendja e Udhëtimeve, 2023”, i cili ofron kërkime dhe analiza për industrinë e udhëtimeve në mbarë botën duke bashkëpunuar me kompanitë më të mëdha të udhëtimit, veçon 14-të vende si destinacionet me rritjen më të shpejtë dhe më të madhe të turizmit.
Nga të dhënat shihet se mes këtyre vendeve pozicionohet edhe Shqipëria si ndër destinacionet kryesore me rrijten më të madhe të numrit të turistëve nga viti 2019-të në vitin 2022 e 2023. Raporti tregon se numri i turistëve të huaj që kanë vizituar vendin tonë në vitin 2022 është rritur me 33%, krahasuar me vitin 2019-të.
Mes këtyre 14-të vendeve gjejmë të renditur një tjetër vend të Ballkanit Perëndimor. Serbia po ashtu është ndër vendet me performancë të mirë në turizëm, ku rritja e vizitorëve të huaj e ka tejkaluar periudhën para pandemisë me 14% në vitin 2022. Referuar të dhënave Shqipëria ka lënë pas Serbinë me 19 pikë përqindje.
Austria, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Republika Domenikane janë tre vendet me rritjen më të lartë të vizitorëve të huaj, me 355%, 109% dhe 71% respektivisht, krahasuar me vitin 2019-të. Në renditje ndjekin Andora, Holanda, Katari, Omani, Shqipëria, Kolumbia, Serbia, Hondurasi, El Salvadori, Kepi i Gjelbërt dhe Lihtenshtejni.
Sërish do vazhdojmë të mbetemi tek turizmi, por këtë herë do të analizojmë një tjetër tregues, numrin e fluturimeve. Të dhënat paraqiten pozitive përgjatë tre tremujorëve, pra sa i përket periudhës Janar-Shtator referuar të dhënave të INSTAT. Sipas shifrave, numri i fluturimeve përgjatë nëntë muajve është llogaritur gjithsej në 37,214 të tilla. Që nga muaji Janar e deri në Shtator kulmin e fluturimeve e kanë arritur muajt e verës pasi regjistrojnë numrin më të lartë.
Shifrat më të fundit të Agjencisë Europiane të Statistikave mbi numrin e fluturimeve sipas vendeve të Europës tregojnë se Shqipëria ka shënuar rritjen më të lartë të këtij treguesi për muajin shtator të këtij vit, krahasuar me një vit më parë, por edhe me periudhën para pandemisë. Të dhënat e muajit Shtator të këtij viti, tregojnë se numri i flututrimeve komerciale në vendin tonë është rritur me 26.3%. Shqipëria kryeson më rritjen më të madhe, ndërkohë që numri i fluturimeve në Bashkimin Europian është rritur me 7.9% krahasuar me Shtatorin e vitit 2022. Vende të rajonit po ashtu raportojnë rritje të numrit të fluturimeve për të njëjtin muaj, krahasuar me një vit më parë, duke u renditur mes vendeve të para. Mali i Zi është vendi i dytë pas Shqipërisë me një rritje deri në 24%. Serbia ndjek e treta në radhë me rritje në 23.2%. Vendet Europiane të cilat kanë regjistruar rënie të numrit të fluturimeve komerciale janë Estonia me 6.4%, Norvegjia me 3.6% dhe Luksemburgu me 0.2%. Në shifra absolute Shqipëria për Shtatorin e këtij viti ka regjistruar gjithsej 4,720 fluturime komerciale, nga 3,736 në vitin 2022, si pasojë e kostove më të ulta të operatorëve turistikë.
Edhe krahasuar me përiudhën para pandemisë, pra me shtatorin e vitit 2019-të, Shqipëria sërish kryeson me rritjen me të lartë të fluturimeve deri në 83.5%. Ndërkohë që vendi ynë paraqitet me rritje, mesatarja e Bashkimit Europian ka regjistuar rënie të numrit të fluturimeve në muajin Shtator të këtij viti me 8.9%, krahasuar me shtatorin e vitit 2019-të. Serbia dhe Islanda ndjekin Shqipërinë sa i përket vendeve më rritjen më të lartë të numrit të fluturimeve krahasuar me periudhën para pandemisë. Ndërkohë, me rënien më të lartë regjistrohen vende si Letonia, Finlanda dhe Estonia.
Por si paraqiten të dhënat sa i përket pasagjerëve nëpërmjet transportit ajror? Të dhënat nga ‘Instituti i Statistikave’ tregojnë se për periudhën Janar-Shtator kanë udhëtuar përmes linjave ajrore 5.4 milion pasagjerë. Muaji Korrik dhe Gusht llogaritën numrin më të lartë të pasagjerëve, ndërkohë muaji Shkurt kishte numrin më të ulët.
Sezoni turistik vazhdoi edhe në vjeshtë
Statistikat e lëvizjes së shtetasve të publikuara nga INSTAT, tregojnë së më shumë të huaj hynë sesa dolën në territorin e Shqipërisë gjatë muajit Nëntor të këtij viti. Ndërkohë, nga ana tjetër, nëse do të flasim për daljet, të dhënat tregojnë se përgjatë të njëjtit muaj më shumë shqiptarë dolën nga vendi sesa erdhën. Më konkretisht, referuar të dhënave zyrtare, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Nëntor të vitit 2023, janë rreth 1.1 milion. Ky tregues rezulton me një rritje 35.9%, krahasuar me Nëntorin e vitit 2022.
Kjo situatë është favorizuar dhe nga rritja turistike e këtij viti duke na lënë të kuptojmë se sezoni ka vazhduar edhe në vjeshtë, konfirmuar kjo edhe nga shifrat mbi strukturat akomoduese. Konkretisht hyrjet e shtetasve shqiptarë për këtë periudhë arrijnë vlerën 552 mijë ndërkohë, që numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 547 mijë. Sipas llogaritjeve konstatojmë se rritjet respektive të hyrjeve janë 22.6% dhe 52.7%, krahasuar me muajin Nëntor të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave, përgjatë njëmbëdhjetëmujorit të këtij viti, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 9.5 milion. Ky tregues është rritur me 33.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Hyrjet e shtetasve të huaj kanë qëllime të ndryshme, qëllime këto që lidhen me dëshirën për pushime, qëllime personale, profesionale etj. Arsyeja kryesore pse të huajt kanë vizituar Shqipërinë renditet ajo personale me numrin më të lartë të hyrjeve.
Turizmi dhe rritja që ka patur këtë vit kanë ndikuar të një sërë faktorësh të tjerë. Shitjet me pakicë të ndikuara kryesisht nga turizmi patën një rritje përgjatë tremujorit të retë të vitit, por gjithashtu ky ndikim u reflektua edhe dhe në sektorin e shërbimeve.
Sipas të dhënave nga “Instituti i Statistikave”, në publikimin mbi statistikat afatshkurtra, shërbimet gjatë tremujorit të tretë të këtij viti paraqiten me rritje gati në të gjitha indekset, por rritja më e madhe vihet re sidomos në paga. Sipas shifrave rritjen më të madhe e regjistrojnë agjencitë e udhëtimit dhe hotelet, si në shitje ashtu edhe në numër të punësuarish dhe paga.
Kështu agjencitë e udhëtimit paraqesin një rritje të shitjeve neto me 24%, krahasuar me një vit më parë. Rritje paraqesin edhe indeksi i numrit të të punësuarve me 8.8% dhe fondi i pagave me 31%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT, agjencitë e udhëtimit kanë shënuar rritjen më të lartë në shitje dhe paga, karahasuar me aktivitetet e tjera ekonomike.
Hotelet po ashtu regjistrojnë rritje gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Indeksi i shitjeve në volum për aktivitetin “Hotele” është rritur me 12.9%, ndërsa nga ana tjetër, indeksi i numrit të të punësuarve është rritur me 10.5% dhe fondi i pagave me 29.5%. Nga të dhënat vihet re se indeksi i fondit të pagave dhe ai i numrit të të punësuarve gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023 është rritur për të gjitha aktivitetet, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.
“Bar-Restorantet” po ashtu paraqiten me rritje në të gjithë indekset, ku rritjen më të lartë e ka shënuar në indeksin e pagave dhe numrin e të punësuarve me 22.3% dhe 2.4%.
Xhorxhina Deda / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.