Tenderi i platformës për shit-blerjen e energjisë – Kompania tërhiqet pas 2 ankesash në KPP, kërkonte rishikim të kritereve
Komisoni i Prokurimit Publik ka vendosur të lejojë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të vijojë procedurat tenderuese për ngritjen e platformës të shit-blerjes së energjisë elektrike. Kjo pasi, kompania Communication Progress, ka tërhequr ankesën e bërë për këtë tender, ku pretendonte se KESH nuk kishte zbatuar vendimin për rishikimin e kritereve që duhet të plotësojnë operatorët ekonomikë të interesuar.
Kjo ishte ankesa e dytë që depozitonte kjo kompani për të njëjtin tender, ndërkohë që mbeten të paqarta arsyet e tërhqjes. KESH hapi tenderin fillestar në datën 25 shkurt, por procedura u anulua, pasi KPP konstatoi se në dokumentet e tenderit Korporata kishte përcaktuar deri në detaje disa specifikime teknike, duke kufizuar maksimalisht zgjidhjet e mundshme që mund të ofrohen nga operatorët ekonomikë të interesuar. Në vendim kërkohej rishpallja e procedurës, duke hartuar specifikimet teknike që lejojnë zgjidhje të ndryshme dhe që hapin maksimalisht konkurrencën. Ndërkaq, pas rihapjes së garës, kompania Communication Progres u ankua sërish në KPP, pasi sipas saj specifikimet teknike ishin të njëjta me procedurën e mëparshme, me disa elementë të shtuar.
“Në këto specifikime përveç përmirësimit të nivelit të përkthimit, nuk është reflektuar asnjë nga vendimet mbi modifikimin e specifikimeve teknike të dhëna nga Komisioni i Prokurimit Publik”,-thuhej ndër të tjera në ankesë. Kompania evidentonte se vonesat në finalizimin e kësja procedure, po dëmtonin interesat publike dhe binin në kundërshtim me vetë njoftimin e shkurtuar të kontratës mbi nevojat e autoritetit kontraktor, që argumentonte se për shkak të çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare ishte e nevojshme që procesi i blerjes së energjisë elektrike të bëhet me sistem elektronik për të siguruar energji me çmime sa më të ulta. Fondi limit i vënë në dispozicion në tenderin e rihapur nga KESH ishte 198 mln lekë, apo 43 mln lekë më shumë se procedura fillestare e shpallur në muajin shkurt.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.