Protesta e kamionistëve bllokon Korenë e Jugut – Zinxhirët globalë të furnizimit vuajnë pasojat. Gjendje alarmi nga çipat tek betoni
Nga automjetet tek çipat gjysmëpërçues, nga telefonat celularë tek çeliku dhe betoni. Greva e kamionistëve – në ditën e saj të katërt radhazi – po paralizon Korenë e Jugut dhe zinxhirët globalë të furnizimit, të cilët u goditën dhe nga bllokimet e pjesshme si pasojë e Covid dhe lufta në Ukrainë.
Mijëra njerëz po protestojnë për të kërkuar paga më të mira, përballë rritjes së vazhdueshme të çmimit të karburantit dhe shtrirjes së një mase emergjente që garanton tarifat e transportit: një masë që skadon në dhjetor.
Hyundai përgjysmoi prodhimin, gjigandi i çelikut Posco ndaloi dërgesat. Në portin e Busanit – ku kalojnë 80% e kontejnerëve, porti i shtatë më i ngarkuar në botë – aktivitetet ranë me një të tretën, ndërsa në portin Incheon trafiku ra me 20% krahasuar me normat normale. Në Ulsan, një qendër e rëndësishme industriale, operacionet janë ndalur plotësisht që nga e marta. Në total, vëllimi ditor i kontejnerëve drejt dhe nga 12 portet e vendit aziatik ra me 64% krahasuar me mesataren e muajit maj.
Hyundai ka një nga zyrat më të rëndësishme në Ulsan, e cila prodhon gjashtë mijë automjete në ditë në fabrikat e saj në këtë qytet. Përpara fabrikës protestuan të paktën një mijë shoferë kamionësh. Me kamionët jashtë funksionit, disa kompani po përgatiten për të gjetur mënyra alternative për të nxjerrë mallrat nga fabrikat.
Nuk dihet për sa kohë do të vazhdojnë grevat, por nëse mosmarrëveshja vazhdon për ditë të tëra, rrezikon të ketë efekte në mbarë botën, duke qenë se Koreja e Jugut është eksportuesi më i madh i çipave në botë.
Takimi mes sindikatave dhe qeverisë përfundoi pa rezultat me këtë të fundit që deklaroi se mosmarrëveshjet midis punëtorëve dhe menaxherëve duhet të zgjidhen mes tyre pa ndërhyrjen e ekzekutivit.
Protestuesit kërkojnë zgjatjen e të ashtuquajturit “Sistemi i Tarifave të Sigurta të Transportit”, masë e hyrë në fuqi në vitin 2020, në pandemi të plotë, e cila garanton tarifa minimale për kamionistët dhe që skadon më 31 dhjetor të këtij viti.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.