BSH: Inflacioni i zgjatur ka shtuar rreziqet – Raporti: Ekonomia do rritet, por me ritme më të ulta. Shqetësim, Eurozona dhe kriza në Itali
Normat shumë të larta të Inflacionit, si dhe zgjatja e tyre në kohë, do të jenë shqetësimi kryesor për ekonominë Shqiptare, e cila do të vijojë të rritet, por me ritme më të ulëta. Është ky parashikimi i Bankës së Shqipërisë i sapopublikuar në raportin tremujor për politikat monetare.
Rritja e ekonomisë parashikohet të mbetet në territor pozitiv gjatë tremujorëve në vijim, parashikon Banka e Shqipërisë, por ajo pritet të shfaqet më e ngadaltë në të ardhmen. Ndikimi i inflacionit të lartë në fuqinë blerëse, zbutja e rritjes së ekonomive partnere dhe reduktimi i stimulit fiskal pritet të kenë një efekt frenues në ekonomi. Megjithatë, zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vijojë të mbështetet nga rritja e konsumit dhe e investimeve, si dhe nga një aktivitet i mirë turistik.
Bilancet e shëndetshme financiare të ekonomisë, rritja e punësimit, e pagave dhe e kredisë, thekson më tej Banka e Shqipërisë pritet të mbështesin rritjen e shpenzimeve dhe planeve të investimit të familjeve dhe bizneseve shqiptare. Gjithashtu, kërkesa e huaj, ndonëse në ngadalësim, pritet të kontribuojë pozitivisht në rritje, duke pasqyruar kryesisht trendin pozitiv të turizmit, thekson raporti.
Ndërkaq, lajme jo të mira vijnë nga ato vende me të cilat Shqipëria ka nivelin më të lartë të bashkëpunimit ekonomik. Banka e Shqipërisë pret që Situata ekonomike pritet të jetë veçanërisht e vështirë për Eurozonën, për shkak të varësisë së madhe ndaj gazit rus, tensioneve politike në Itali dhe diferencave ekonomike të vendeve anëtare. Implikimet e këtij mjedisi për ekonominë shqiptare pritet të jenë në trajtën e presioneve të larta inflacioniste dhe mbështetjes më të pakët ekonomike, parashikon Banka e Shqipërisë.
Inflacioni parashikohet të qëndrojë në nivele të larta deri në fillim të vitit pasues dhe të vijë në reduktim më tej, për të qëndruar në objektivin 3% në gjysmën e parë të vitit 2024. Inflacioni në vend do të pasqyrojë në një masë të madhe rritjen aktuale të çmimeve në tregun botëror. Më tej, në mungesë të goditjeve të reja, stabilizimi i çmimeve jashtë pritet të lehtësojë presionet mbi inflacionin në vend.
Rreziqet për norma më të larta inflacioni dhe norma më të ulëta rritjeje ekonomike janë rritur, veçanërisht për afatin e shkurtër vlerëson banka e Shqipërisë në raport. Në ambientin e jashtëm, faktorë të mundshëm rreziku janë rritja e mëtejshme dhe e fortë e çmimeve bazë në tregun botëror, ngadalësimi më i fortë ekonomik në partnerët tanë kryesorë tregtarë, apo rritja e volatilitetit dhe rënia e oreksit për rrezik në tregjet financiare.
Në ambientin e brendshëm, faktorë kryesorë janë rritja e mëtejshme e pritjeve për inflacionin, si në sektorin real dhe në atë financiar, shtrëngimi i mëtejshëm i tregut të punës, si dhe rritja e pasigurisë.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.