Qendra e djathtë fiton zgjedhjet në Itali – Giorgia Meloni pritet të jetë kryeministrja e parë femër në historinë e vendit
Koalicioni i partive të qendrës së djathtë ka fituar zgjedhjet parlamentare në Itali. Partia “Vëllezërit e Italisë” e Giorgia Meloni ka marrë rreth 26% të votave, ndërsa dy partitë e tjera “Liga” e Salvinit dhe “Forza Italia” e Berlusconit nuk kanë arritur të marrin as 10% të votive. Në total qendra e djathtë kryeson me rreth 44%, qendra e majtë me 26% dhe “Lëvizja 5 yjet” me rreth 15%. Në përfundim të procesit të votimit të dielën në mbrëmje pjesëmarrja ka qenë 63,8%, në rënie prej 9 pikësh krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare.
Menjëherë pas publikimit të të dhënave të para pas mesnatës, kryetarja e partisë “Vëllezërit e Italisë”, Giorgia Meloni, e cila pritet të jetë kryeministrja e ardhshme e vendit dhe e para femër në këtë post në historinë e Italisë, u shpreh se “kjo është koha për të marrë përsipër përgjegjësitë për të qeverisur vendin. Koha, që nëse dëshiron të bëhesh pjesë e historisë, duhet të kuptosh se çfarë përgjegjësish kemi ndaj dhjetra milionë personave, pasi Italia na zgjodhi ne dhe ne nuk do ta tradhëtojmë, çka nuk e kemi bërë asnjëherë. Nëse do të na ngarkohet detyra për të qeverisur vendin, do ta kryejmë për të gjithë për të bashkuar një popull duke lartësuar atë që bashkon dhe jo atë që ndan”.
Në Senat, koalicioni i qendrës së djathtë fiton të paktën 114 vende dhe siguron mundësinë për të qeverisur I vetëm. Ndërsa, në Dhomën e Deputetëve, arrin mbi 43%.
Rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve në Itali
Vëllezërit e Italisë 26%
Partia Demokratike 19,4%
Lëvizja 5 yjet 16,5%
Liga 8,5%
Forca Italia 8%
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.