Tregu i monedhave e nis javën në qëndrueshmëri – Investitorët të shqetësuar për rritjen e tensioneve gjeopolitike me Rusinë
Tregu i monedhave e ka nisur javën në qëndrueshmëri, por të dhënat pozitive mbi punësimin në SHBA kanë përforcuar pritshëmritë se Rezerva Federale do të vijojë me politikat monetare shtrënguese.
Norma totale e papunësisë në ekonominë më të madhe në botë ra në 3.5%, gjatë muajit shtatorit. Tashmë investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin që do të publikohen të martën dhe analistët parashikojnë një normë prej 8.1% me bazë vjetore. Inflacioni bazë parashikohet të jetë rritur me 6.5%.
Tregjet po shfaqin shenja nervozizmi për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe rritjes së çmimeve të naftës. Moska ju përgjigj shkatërrimit të një ure në Krime, duke ndërmarrë disa sulme në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Monedha e përbashkët europiane, euro, po tregtohet në rreth 0.98 dollarë, ndërsa paundi britanik po tregtohet në rreth 1.11 dollarë.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, po qëndron në mbi 112, shumë pranë nivelit më të lartë në 20 vitet e fundit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.