Pritet recesion teknik në Eurozonë – FMN: Vazhdimi i rritjes së normave të interesit është sigurim ndaj rreziqeve
Një përzierje toksike e inflacionit të lartë dhe rritjes së ngadaltë po rëndon mbi Europën. “Këtë dimër më shumë se gjysma e vendeve në Eurozonë do të përjetojnë një recesion teknik, me të paktën dy tremujorë radhazi rritje negative”, deklaroi Alfred Kammer, kreu i Departamentit Europian të FMN.
Ndër vendet që do të hyjnë në recesion teknik janë Gjermania dhe Italia, të cilat do të kenë tre tremujorë radhazi tkurrje duke filluar nga tremujori i tretë i vitit 2022, shtoi Kammer, duke vërejtur se “lufta në Ukrainë do të mbajë pasigurinë të lartë, me rreziqet për rritje të inflacionit.
Prodhimi I Brendshëm Bruto në Itali pritet të rritet me 1.3% në 2024 pas tkurrjes prej 0.2% në 2023, parashikon FMN në raportin e saj për Europën, ku vëren se si çmimet më të larta të energjisë për familjet europiane do të rrisin koston e jetesës me 7% në 2022 dhe me 9% në 2023. “Konsumimi privat është tkurrur në tremujorin e parë të 2022 në Francë, Spanjë dhe Itali dhe pavarësisht një rimëkëmbjeje në verë, pritet të mbetet i dobët në gjysmën e dytë të vitit”, theksohet në raport
Në ekonomitë e përparuara të Europës, duke përfshirë Eurozonën, ka të ngjarë të nevojitet një politikë monetare më e rreptë në vitin 2023, nëse inflacioni vijon rritjen, thotë Alfred Kammer, duke vënë në dukje se “vazhdimi i rritjes së normave të interesit është aktualisht sigurim ndaj rreziqeve që do të kërkonin edhe përgjigjet më të forta dhe më të dhimbshme të bankës qendrore në vijim.”
Ndërkohë, indekset e S&P për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që monitorojnë aktivitetin ekonomik në Eurozonë po sinjalizojnë gjithnjë e më shumë një recesion. Në tetor, indeksi i prodhimit ra në 47.9 nga 48.4 në shtator, duke e çuar edhe më tej nën 50, që është kufiri që ndan zgjerimin e ekonomisë nga tkurrja.
Indeksi i shërbimeve shënon 48.2, nga 48.8 në shtator. Të dhënat tregojnë ecurinë negative të ekonomisë gjermane në fillim të tremujorit të katërt, që përforcon shenjat e një recesioni të afërt në ekonominë kryesore të Eurozonës.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.