Rriten tarifat për bizneset ushqimore – Sa do të paguajnë për analizat në laboratorë shtetërore. Mjalti, më i “kripuri”
Ministria e Bujqësisë ka përcaktuar tarifat e reja për kryerjen e analizave të produkteve të ndryshme në laboratorët shtetërorë nga ana e bizneseve ushqimore, ku një pjesë e tyre kanë njohur rritje të ndjeshme.
Në udhëzimin e botuar në Fletoren Zyrtare, theksohet se tarifat e përcaktuara në udhëzim, nuk aplikohen për analizat e kërkuara nga institucionet e varësisë së ministrit të Bujqësisë ndërkohë që operatorët ekonomikë me mallra me origjinë nga Republika e Kosovës do të trajtohen me tarifë zero për kryerjen e analizave të kontrollit zyrtar.
Konkretisht në gamën e gjerë dhe të shtuar të analizave që kryhen nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ato që kushtojnë më së shumti janë analizat fiziko-kimike të disa produkteve ushqimore për të cilat nga ky muaj dhe në vijim, operatorët ekonomikë do të paguajnë 450-1200 lekë më shumë.
Konkretisht bëhet fjalë për analiza të produkteve si malto, kripë ushqimore, glukozë, qumështi pluhur për fëmijë, supra të koncentruar, sodë buke, ushqim për fëmijë në gjendje pluhuri, majonezë, kafe kokërr, kafe dhe kakao pluhur, erëza të bluara, limontoz, esencë e pijeve alkoolike dhe freskuese, mjalti dhe çaji bimor.
Tarifa e analizave për këto produkte variojnë nga 1950 lekë e cila aplikohet për erëzat e bluara, deri në 5200 lekë, tarifë e aplikuar mbi mjaltin. Ndërkohë janë përcaktuar pagesat edhe për një sërë analizash të tjera si ato për certifikimin zyrtar dhe lëshimin e etiketave për produktet vendase, për testimin e varieteteve të kulturave të ndryshme për regjistrim në katalogun kombëtar, testimin për regjistrimin e produkteve plehëruese, për shëndetin e bimëve, për fushën e përmirësimit racor të kafshëve, agjencinë e duhanit, etj.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.