Bursat, në pritje të vendimit të FED – Parashikohet rritje e normës bazë të interesit me 25 pikë
Bursat europiane po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, pasi investitorët në të gjithë botën po presin konferencën për mediat të shefit të Rezervës Federale, Jerome Powell, në mbrëmjen e sotme. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rënie të lehtë me 0.2%.
Banka Qendrore Amerikane po përpiqet të ruajë një balancë mes luftës kundër inflacionit dhe krizës së disa bankave. Shumica e investitorëve presin një rritje të normës bazë të interesit me 25 pikë bazë.
Ndërkohë, të dhënat mbi inflacionin të publikuara në Mbretërinë e Bashkuar mëngjesin e sotëm, treguan se çmimet konsumatore u rritën me 10.4% në shkurt, nga 10.1% që ishte rritja në janar. Analistët e anketuar nga Reuters parashikonin një ngadalësim në 9.9%.
Ndërkohë, inflacioni bazë, që përjashton çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë, u rrit në 6.2% nga 5.8% që ishte në janar. Në këtë mënyrë shtohet më tej presioni ndaj Bankës së Anglisë, e cila do të mblidhet të enjten për të vendosur mbi politikat monetare.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.