Nafta zgjeron humbjet, zbret poshtë 81 USD – Investitorët, të shqetësuar për ngadalësimin e kërkesës globale
Nafta ka vijuar tendencën në rënie edhe gjatë sesionit të parë të kësaj jave, duke zgjeruar humbjet e javës së kaluar, pasi shqetësimi kryesor në treg vijon të jetë ngadalësimi i kërkesës, si pasojë e rritjes së interesave nga bankat qendrore.
Në këtë mënyrë, është zbehur i gjithë efekti i vendimit të OPEC+ për të ulur prodhimin edhe me 1.16 milionë fuçi naftë në ditë, deri në fund të këtij viti. Nafta Brent e Londrës ka zbritur pranë 80 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet poshtë 77 dollarëve për fuçi. Të dyja kontratat ranë me më shumë se 5%, gjatë javës së kaluar, rënia e parë në 5 javët e fundit.
Të dhënat e publikuara në SHBA treguan një ngadalësim të ndjeshëm të kërkesës dhe këtë e konfirmoi rritja e rezervave të naftës dhe benzinës. Në fillim të muajit maj, bankat qendrore më të mëdha të botës, si Rezerva Federale, Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë pritet të rrisin normat e interesit për të luftuar inflacionin.
Analistët dhe tregtarët kanë dyshime edhe mbi rimëkëmbjen e kërkesës në Kinë, pavarësisht masave lehtësuese kundër Covid-19.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.