Kukësi, Lezha dhe Shkodra – Karakteristikat socio-ekonomike
Kukësi, qarku që mban rekord lindshmërie
Karakteristikat socio-ekonomike. Çdo familje disponon 1 makinë
Kukësi, renditet si qarku me koeficientin më të madh rritjes natyrore në të gjithë Shqipërinë, 4 lindje më shumë se vdekje për 1.000 banorë. Kjo është karakteristika që e veçon qarkun e Kukësit, i cili përfshin rrethin Has, Kukës dhe Tropojë nga qarqet e tjera të vendit. Sipas të dhënave zyrtare më të fundit të INSTAT, paga mesatare mujore e personave të punësuar në qarkun e Kukësit është 53.613 lekë, ndërsa shpenzimet mesatare mujore për konsum për Njësi Ekonomike Familjare arrijnë në 71.636 lekë. 1 në 5 banorë në qarkun e Kukësit disponon një automjet, apo e thënë ndryshe, një makinë për familje. Në këtë qark ushtrojnë veprimtarinë 2462 ndërmarrje aktive ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë regjistrohet në 365 mijë lekë; Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15+ është në nivelin 60,3 dhe shkalla e papunësisë për popullsinë 15+, në nivelin 4,0 %. Raporti nxënës për mësues në arsimin e detyrueshëm ( 9 vjeçar) është 9.4 nxënës për një mësues.
Lezha, qarku me shkallën më të lartë të papunësisë
Mbi 22 %, pozicioni i favorshëm gjeografik nuk shfrytëzohet
Qarku Lezhë, i cili përfshin bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Mirëditë, kryeson në rang vendi si qarku me shkallën më të lartë të papunësisë, e cila regjistrohet në nivelin 22,6%. Sipas të dhënave zyrtare më të fundit të INSTAT, paga mesatare mujore e personave të punësuar në qarkun e Lezhës është 46.482 lekë, ndërsa shpenzimet mesatare mujore për konsum për Njësi Ekonomike Familjare arrijnë në 78.163 lekë. Në qarkun e Lezhës regjistrohen 258 autovetura për 1 mijë banorë, apo 1 autoveturë për një familje me 4 banorë. Në këtë qark ushtrojnë veprimtarinë 5.540 ndërmarrje aktive ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë regjistrohet në 413 mijë lekë; Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15+ është në nivelin 47,3 . Raporti nxënës për mësues në arsimin e detyrueshëm ( 9 vjeçar) është 10.5 nxënës për një mësues. Qarku i Lezhës ka një pozicion të favorshëm gjeografik në Shqipëri, dhe ndodhet në kryqëzatën e të gjitha arterieve të transportit duke shërbyer si nyje lidhëse veri-jug dhe lindje-perëndim. Relievi në këtë rajon prezanton kontraste të theksuara të të gjitha llojeve si bregdetar, fushor, kodrinor, malor, alpin etj me një alternim ndërmjet tyre si në asnjë rajon tjetër të vendit, ku deti, fusha dhe malet janë shumë pranë njëri tjetrit. Elementët fiziko-gjeografike të territorit të qarkut të Lezhës, gërshetuar me njëri-tjetrin, florën dhe faunën dhurojnë peizazhe dhe bukuri mahnitëse që stimulojnë kryesisht zhvillimin e agrobiznesit dhe atë të turizmit në këtë rajon, si dy burime të rëndësishme të ardhurash për rritjen e mirëqenies dhe prosperitetit të banorëve të këtij rajoni dhe zhvillimin e tij.
Shkodra, qarku me normën më të ulët të të pandehurve
Regjistrohet në nivelin rreth 30 %, përfshin 5 bashki
Kryeqendra e veriut, qarku i Shkodrës i cili përfshin bashkitë Shkodër, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë-Arrës, konsiderohet si qarku me normën më të ulet e të pandehurve, e cila regjistrohet në 33.3 %. Sipas të dhënave zyrtare më të fundit të INSTAT, paga mesatare mujore e personave të punësuar në qarkun e Shkodrës është 46.632 lekë, ndërsa shpenzimet mesatare mujore për konsum për Njësi Ekonomike Familjare arrijnë në 78.764 lekë. Në qarkun e Shkodrës regjistrohen 221 autovetura për pasagjerë për 1 mijë banorë, apo 1 autoveturë për 4.5 banorë. Në këtë qark ushtrojnë veprimtarinë 11.661 ndërmarrje aktive ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto rajonal për frymë regjistrohet në 416 mijë lekë; Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15+ është në nivelin 61.6 dhe shkalla e papunësisë për popullsinë 15+ është 12.1 për qind . Raporti nxënës për mësues në arsimin e detyrueshëm ( 9 vjeçar) është 9 nxënës për një mësues. Qarku i Shkodrës është një ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri. Ai shtrihet nga Alpet e Veriut tek ultësira bregdetare.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.